Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci u takua me Mehmet Bardhin
, 17.01.2005
Thellimi i mëtejmë i bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, posaçërisht në lëmin ekonomik, zhvillimi i zonave kufitare dhe ndihma që Kosova mund të japë në këto segmente, ishin çështje thelbësore të takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës , Nexhat Daci, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Malit të Zi, Mehmet Bardhi me bashkëpunëtorë. Në këtë vështrim u theksua se ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës duhet të shpeshtohen kontaktet, sepse ekzistojnë shumë mundësi bashkëpunimi me interes të dyanshëm. Thellimi i këtyre marrëdhënieve e aktiviteteve duhet të përshkohet nga një politikë pragmatike.Në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë, ndërtimi i arteries Deçan- Plavë do të ishte me interes të shumanshëm. Mehmet Bardhi duke folur pas këtij takimi theksoi se ai ishte një vazhdimësi e e lidhjes së shqiptarëve të Malit të Zi me institucionet e Kosovës. Kosova gjatë periudhës së kaluar, theksoi Mehmet Bardhi, ka bërë shumë për shqiptarët që janë jashtë Kosovës, sepse atëherë kur ne nuk kishim, as shkolla, as institucionet tona, u shkolluam në Kosovë. Madje , edhe sot e kësaj dite Kosovën e shohim si një prej subjekteve që duhet të ndihmojë në përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.Shqiptarët në Mal të Zi janë autoktonë, nuk janë ardhacak, ndaj duhet t’ i kemi të drejtat tona në të gjithë lëmenjtë, tha Bardhi, duke shprehur në vijim mendimin se shqiptarët në Mal të Zi duhet të kenë statusin e një autonomie.