Lajmet e fundit

Nga takimi i kryeparlamentarit Daci dhe kryeministrit Haradinaj me përfaqësues të biznesit

, 17.01.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka ftuar sot përfaqësuesit e biznesit kosovar në një këshillim me temën “Legjislacioni dhe biznesi në Kosovë”, në të cilin merrnin pjesë kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrat Ethem Çeku e Bujar Dugolli. Shekulli XXI do të jetë shekull i globalizimit, jo vetëm ekonomik botëror, prandaj institucionet e Kosovës, të cilat në këtë mandat veprojnë në unitet të plotë veprues, mëtojnë që Kosovën ta sjellin në normalitet, u është drejtuar kryeparlamentari Daci përfaqësuesve të biznesit kosovar. Duke i falenderuar biznesmenët e Kosovës për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për rimkëmbjen e ekonomisë së vendit, edhe në koniuktura tepër të pavolitshme ekonomike, ai ka përkujtuar se Kosova ka arritur ta krijojë vetë buxhetin e vendit dhe ka arritur që pas zgjedhjeve të dyta parlamentare, vetë t’i krijojë institucionet qendrore. Ai, ndërkaq, ka shtuar se Kosova ende nuk e ka fituar të drejtën ta menaxhojë vetë buxhetin e saj, kurse vazhohet me mekanizma të tillë paralel të Qeverisë, si Autoriteti Ekonomik Fiskal, në të cilin Kosova mëtohet të mbahet në minorancë. Daci, duke iu referuar një teoricienti të njohur të ekonomisë politike, është shprehur për prioritetet e shoqërisë në zhvillim: krijimin e një mjedisi të aftë që të absorbojë investimet private ekonomike dhe të mekanizmave të aftë që të menaxhojnë krizat sociale dhe ekopnomike. Ai me këtë rast ka përkujtuar faktin që një e katërta e buxhetit të Kosovës shpenzohet në “blerjen e qetësisë sociale”, kurse fonde të shumta akumulohen në konto jashtë vendit, të cilat nuk i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të Kosovës, ka thënë Daci. Kreu i legjislativit të Kosovës në takim me biznesmenët ka shprehur rezervat e tij në fokusimin vetëm në ekonomi të vogël dhe të mesme. Ai, ka shprehur dyshim se me këtë koncept mund të aktivizohen resurset ekonomike të Kosovës, siç janë minierat dhe sistemet e mëdha ekonomike. Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu drejtuar përfaqësuesve të biznesit ka theksuar se Kosova gradualisht pë e zë hapin e zhvillimit dhe po e tejkalon prapambeturin e trashëguar nga rrethanat e pavolitshme historike dhe nga pasojat e luftës së fundit në Kosovë. Ka ardhur koha, ka theksuar Haradinaj, që Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës të luajnë një rol më aktiv në zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e ndërmarrjeve kosovare. Ai me këtë rast ka paralajmëruar krijimin e një Agjencioni për promovimin e investimeve të huaja dhe fillimin e negociatave me institucionet financiare ndërkombëtare për marrjen e kredive edhe para përcaktimit të statusit të Kosovës. Do të hulumtojmë mundësi të skemave të financimit të ndërmarrjeve të prodhimeve për eksport, zhbllokimin e privatizimit, zhbllokimin e fondeve nga asetet e ndërmarrjeve të privatizuara dhe angazhimin e këtyre mjeteve në zhvillimin ekonomik të vendit, ka premtuar kreu i Qeverisë së Kosovës. Haradinaj ëshë angazhuar për marrëdhënie të mira me shtetet e rajonit dhe për lidhjen e marrëveshjeve për tregëti të lirë me këto vende, në interes të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrarti, ka përmendur një vistër të tërë të vështirësive të bizsnesit kosovar, duke theksuar sidomos shumëllojshmërinë e zbatimit të ligjeve në Kosovë. Ai ka vënë në spikamë sidomos rëndësinë e mënjanimit të taksave doganore për lëndën e parë që nuk prodhohet në Kosovë. Nëse heqim doganën në lëndë të parë dhe në investime kapitale, të ardhurat buxhetore të Kosovës do të fillojnë rritën në vitin tjetër, ka theksuar Kastrati. Ai, ndërkaq, ka kërkuar impelementimi e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet akteve nënligjore, duke përmendur edhe miratimin e një varg ligjesh sistemore ekonomike. Përfqësuesi i Bankës së Biznesit Privat, dr. Nazmi Mustafa, por edhe përfaqësues të tjerë të biznesit kanë vënë në pah domosdoshmërinë e harmonizimit të legjislacionit dhe të sistemit ekonomik. Nga shumica e folësve, ndërkaq, është kërkuar reformim i thellë i politikave ekonomike, me theks të veçantë asaj fiskale dhe doganore, kurse që të gjithë kanë kërkuar kushte të barabarta për biznes dhe eleminimin e konkurrencës jolojale. Biznismenët e Kosovës kanë theksuar se me këto kushte të rënda të kredive ekonomike, nuk ka gjasa për afarizëm të sukseshëm në Kosovë. Nga takimi gjethsesi ka rezultuar se në Kosovë, megjithë kushtet e rënda të afarizmit, ka prodhim cilësor, madje edhe eksport në vendet Unionit Evropian dhe në vendet tejoqenaike. Për të qenë ironia më e madhe, derisa prodhimet e Kosovës tregtohen (me të drejtë) pa doganë në vendet Unionit Evropian, prodhimet e atyre vendeve duhet të paguajnë doganën që të shiten në Kosovë, ndërkohë që vendin gjithandej e kanë vërshuar mallra të vendeve të tjera, të futura ilegalisht dhe me cilësi të dyshimtë. Qëllimi i takimit, prandaj, ishte që të sheshohen rrugëzgjidhje për problemet ekonomike dhe të përvijohet vizioni për zhvillimin e përshpejtuar të vendit. Fillim i mbarë që duhet të materializohet në vazhdimsi.