Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti ministrin e Pushtetit Lokal, z. Lutfi Haziri

, 19.01.2005




Kuvendi i Kosovës përkrah procesin e dencentralizimit dhe reformën e pushtetit lokal që zhvillohet nga ana e Qeverisë së Kosovës, sepse kjo është në interes të Kosovës, pasi përmban në vete komponentën zhvillimore. Me ndarjen e re administrative dhe bartjen e kompetencave synohet të arrihet një balans më harmonik edhe i popullsisë në vend, për t’ua ofruar qytetarëve me kohë e sa më me cilësi edhe shërbimet. Kjo do të ndikonte në zvogëlimin e migrimit të qytetarëve drejt qyteteve, sidomos kryeqytetit, siç po ngjet me një pjesë të popullsisë, posaçërisht nga zonat kufitare. Këto ishin disa nga konstatimet e takimit të të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me ministrin e Pushtetit Lokal, Lutfi Hazirin.
Unë përfitova një optimizëm të theksuar, se ministri Haziri e njeh këtë problematikë thellësisht, për të qenë në rrjedhë të kërkesave politike të Kosovës, mbi të gjitha të nevojave të qytetarëve të Kosovës. Nuk ka decentralizim etnik, nuk ka enkalvizim, nuk ka rajonalizim mbi baza etnike dhe nuk ka ndarje, theksoi kryeparlamentari Daci, duke u angazhuar për ruajtjen e parimeve themelore për të cilat është përcaktuar Kosova.
Në vijim Ministri i Pushtetit Lokal, z. Lutfi Haziri theksoi se e ka njoftuar kryetarin e kuvendit me Draft kornizën për reforma, me efektet pozitive e me dobësitë që i ka ai dokument, si dhe me nevojën që Parlamenti, si organi më i lartë vendimarrës në Kosovë të ketë informim dhe qasje të drejtpërdrejtë. Haziri pastaj theksoi se gjithnjë do të kërkojë mbështetjen për vendosjen e një vetëqeverisjeje të qëndrushme lokale. Në këtë frymë, në këtë fazë po punojmë intesivisht për gjetjen e modaliteteve, u shpreh Haziri, që do të jetë si njëlloj testimi i këtij dokumenti, duke shpresuar se do ta ketë mbështetjen e kryetarit me nxjerrjen e Draft Ligjit për qeverisjen lokale, që do të përmbajë vizionin afatgjatë dhe të sigurt, në dobi të interesave jetike të qytetarëve të Kosovës.