Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti një grup të madh studentësh nga UE-ja
, 24.01.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një grup prej 80 studentësh pasuniversitar të universiteteve të Unionit Evropian, të cilët në kuadër të specializimit në lëmin e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, shfaqin interesime shkencore për zhvillimet në Kosovë. Profesor Daci duke u drejtuar studentëve evropianë ka folur gjerësisht për punën e institucioneve të Kosovës dhe për synimet e popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe zhvillim të përshpejtuar të vendit. Në këtë vështrim kreu i legjislativit të Kosovës ka theksuar këmbënguljen e institucioneve të vendit për bashkëpunim me faktorë ndërkombëtarë dhe për përmbushjen e standardeve për Kosovën. Kosova është vend i vogël për nga madhësia, por ka resorse ekonomike dhe nerëzore, për të funksionuar si shtet normal, ka thënë Daci, i cili në mënyrë të veçantë ka folur për punën e frytshme në miratimin e legjislacionit të vendit. Ai ka elaboruar pjesëmarrjen e minoriteteve në institucionet e vendit dhe përfaqësimin e tyre më të lartë se sa përqindja në popullsinë e përgjithshme të Kosovës. Por, ka theksuar Daci, derisa minoritetet tjera po integrohen me sukses në shoqërinë kosovare dhe ushqejnë të njejtën synim për perspektivën zhvillimore të Kosovës, problem paraqet vetëm integrimi i serbëve, një numër i konsiderueshm i të cilëve nuk pajtohet me realitetin e krijuar në Kosovë dhe abstenon nga ushtrimi i të drejtave të tyre. Daci ka theksuar përkushtimin e fuqishëm për respektimin e të drejtaave dhe lirive të qytetarëve dhe sidomos vendosmërinë për të drejtat e minoriteteve. Ai, ndërkaq e ka vlerësuar shumë pozitivisht punën e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e synimeve programore të saj. Duke u drejtuar studentëve të UE-së, kryetari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se postin e kryeministrit e ka marrë më 6 dhjetor 2004, sipas marrëveshjes së koalicionit për qeverisje. Duke folur për synimet programore të Qeverisë, Haradinaj ndërkaq është shprehur se po punohet në tri drejtime: Në standardet për Kosovën dhe përgatitjet për bisedimet për statusin final të Kosovës; në hartimin e legjislacionit dhe në planin për ringjalljen e ekonomisë, që nuk është një detyrë aspak e lehtë. Haradinaj është shprehur se suksesi i dedikohet edhe punës me bashkësinë ndërkombëtare dhe me shumë qeveri që kanë kontribuar në këtë progres. Vullneti i popullit të Kosovës është shteti i pavarur dhe ne jemi duke punuar për ta finalizuar këtë së bashku, u ka thënë Haradinaj studentëve të UE-së. Daci dhe Haradinaj pastaj iu kanë përgjigjur pyetjeve të shumta të studentëve të UE-së, të cilat fokusoheshin kryesisht në integrimin e minotiteteve në shoqërinë e Kosovës dhe realizimin e plotë të drejtave dhe lirive të tyre. Në orët e pasditës studentët e UE-së, të ndarë në grupe më të vogla, janë takuar me deputetët: Nekibe Kelmendi, Flora Brovina, Veton Surroi dhe Edita Tahiri.