Lajmet e fundit

Komisioni për shërbime publike, administratë lokale dhe media

, 24.01.2005




Projektligji për Komisionin e pavarur të mediave është më se i nevojshëm për Kosovën, madje ai është edhe pjesë e standardeve. Ky projektligj ka bazueshmëri juridike, por ka disa mangësi dhe lëshime gjuhësore të cilat duhet të evitohen, sepse versionet sipas gjuhëve në disa raste esencialisht ndërrojnë sipas kuptimeve. Këto ishin disa nga konstatimet e mbledhjes së sotme të Komisionit për shërbime publike, administratë lokale dhe media të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare. Me këtë rast u dhanë edhe disa vërejtje e sugjerime. U shtrua pyetja se kujt do t’ i japë llogari Komisioni i Pavarur i Mediave, a duhet që për transmetuesit publikë të kemi ligj të veçantë, si dhe u kërkua që me këtë projektligj të definohet statusi i RTK-së. U shpreh edhe mendimi se ky projektligj nuk siguron konkurrencë lojale. Pas vërejtjeve Komisioni dha pëlqimin që ky projektligj të dalë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, në mbledhjen e 26 janarit, ashtu si është propozuar në rendin e ditës të organit më të lart ligjvënës. Po kështu Komisioni përkrahu propozimin për të hyrë në procedurë të mëtejshme edhe Projektligji për Lirinë e asociacionit në OJQ.