Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për shërbime publike, administratë lokale dhe media
, 31.01.2005
Komisioni për shërbime publike, administratë lokale dhe media, kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare, në mbledhjen e sotme përvijoi disa nga detyrat prioritare që shtrohen në fazën e mëtejshme të punës së këtij komisioni, në kuadër të shqyrtimeve të Projektligjit për lirinë e asocimit në OJQ, si dhe Projektligjit për Komisionin e pavarur të mediave, të cilat u përkrahën në parim në shqyrtimin e parë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Të dy projektligjet kërkojnë një angazhim të shtuar të anëtarëve të komisionit, në mënyrë që ato të pasurohen me zgjidhje sa më adekuate. Përkitazi me projektligjin për Komisionin e pavarur të mediave u shprehën mendime se debati po orientohet vetëm në një segment, ndërsa është fjala për ligj që themelon një institucion, e jo për ligj themelor për media.Në projektligj disa nene bien në kundërshtim më njëri tjetrin, por u shfaq edhe dilema se mos ky projektligj kthen në imitime të bordeve të pushteteve të kaluara. Pos punës së ngulmët të anëtarëve të komisionit , në begatimin e ligjit do të mund të kontribuonte edhe debati publik për të dy projektligjet, u konstatua me këtë rast.