Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti kryetarin e BDI-së, z. Ali Ahmeti
, 04.02.2005
Gjendja politike në Kosovë dhe në Maqedoni dhe bashkëpunimi e ndihma reciproke ndërmjet dy vendeve , si dhe aktivitetet e implementimit të marrëveshjes rreth regjistrimit të studentëve nga Fakulteti i Mjekësisë së Tetovës, ishin tema thelbësore të takimit të sontëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti. Kryeparlamentari Daci deklaroi se e mbështesim koalicionin qeverisës në Maqedoni , i inkurajojmë të gjitha proceset e marrëveshjet e lidhura edhe nga ana e shqiptarëve , si qytetarë të Maqedonisë. Ne kemi vullnet që me fqinjët të kemi raporte të mira, me Maqedoninë nuk kemi probleme të natyrës politike . Ali Ahmeti theksoi se jemi pritur në mënyrë vëllazërore, kemi gjetur mbështetje për të gjitha hallet , ndaj edhe për problemin e studentëve të mjekësisë. Në vijim, ai theksoi se së shpejti do të hapet Zyra për tregti në mes Maqedonisë dhe Kosovës. Ne e kemi prioritet Kosovën, tha Ahmeti, këtë e dinë edhe partnerët tanë të koalicionit. Të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se marrëveshja e arritur ndërmjet ministrive të arsimit të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë do të sendërtohet plotësisht , studenteve do t’ iu mundësohet vazhdimi i studimeve, sepse ata janë studentë tanë, ata vijnë nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Kryeparlamentari Daci tha se do të inkurajojë Ministrinë Arsimit të Kosovës që ky proces të përfundojë me sukses.