Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim të Kuvendit të Kosovës

, 07.02.2005




Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim i Kuvendit të Kosovës, nën udhëheqjen e zonjës Sanije Alijaj, nënkryetare e parë e Komisionit, mbajti sot mbledhjen e parë të rregullt, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i Planit dhe programit të punës të këtij Komisioni për periudhën janar–mars të vitit 2005.
Në mbledhjen e sipër përmendur mbi Planin dhe programin e këtij Komisioni për periudhën e theksuar u tha se ky plan dhe program, përveç procedimit dhe shqyrtimit të projektligjeve të ndryshme, ka për qëllim edhe organizimin e takimeve, si me përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe OSBE-së (të cilët kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave), gjithashtu edhe me përfaqësuesit e Ombudspersonit të Kosovës dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të Kosovës. Gjithashtu, siç del nga Plani dhe programi, anëtarët e Komisionit në kuadër të vizitave punuese, do të vizitojnë kuvendet e komunave të Prishtinës dhe të Mitrovicës.
Në fund të kësaj mbledhjeje të rregullt anëtarët e Komisionit, miratuan, me ndryshime dhe plotësime, Planin dhe programin e punës të Komisionit për periudhën janar–mars 2005.