Lajmet e fundit
Dëgjim i frytshëm publik mbi Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave
, 07.02.2005
Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili tashmë është përkrahur në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës, është i një rëndësie të veçantë për zhvillimet e ardhshme në Kosovë. Ai do të ndikojë në cilësinë e demokracisë së vendit. Me disa saktësime e përmirësime në procesin e amendamentimit, ai do të jetë në pajtueshmëri të plotë me standardet evropiane në këtë lëmë. Ky projektligj do të inkurajojë konkurrencën e ndershme në hapësirën mediale. Këto ishin disa nga konstatimet më thelbësore të dëgjimit të sotëm publik lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, organizuar nga Komisioni për shërbime publike, administratë lokale dhe media i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare e Komisionit . Në këtë dëgjim publik merrnin pjesë edhe Robert Gillete, Komisioner i Përkohshëm i Mediave, përfaqësues të media elektronike e të shkruara të Kosovës, përfaqësuesi i OSBE-së etj. Përfaqësuesit e mediave përkrahën këtë projektligj, por ata dhanë mjaft vërejtje e propozime në tekstin e këtij projektligji. Shqetësim më të madh te përfaqësuesit e mediave kishte zgjuar çështja e mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të KPM-së, posaçërisht ajo se nga cilat subjekte do të vinin ata. Kishte propozime që këta anëtarë të mos zgjedhen nga radhët e partive politike. Të pranishmit ishin unanimë në propozimin që neni 20, pika tetë, e këtij projektligji të fshihet tërësisht nga teksti i projektligjit. Kjo pikë e këtij neni ka të bëjë me autorizimet, që i jepen drejtorit ekzekutiv, që në konsultim me Këshillin Drejtues, në situata emergjente, të shqiptojë masa për suspendimin e përkohshëm të licencave transmetuese. Në vijim të këtij debati, i cili sipas përfaqësuesit të Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve Profesionistë, përbënte një konsensus të mediave sa i përket këtij projektligji, u tha se teksti i projektligjit ka mospërputhje sipas gjuhëve, nuk përcaktohet fakti kur përfundon Komisioneri i Përkohshëm i Mediave dhe kur fillon Komisioni i Pavarur i Mediave, ndonjë nen bie në kundërshti me Kornizën Kushtetuese etj. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në kohëzgjatjen e licencave, duke u dhënë propozime që afatet të jenë më të gjata në pikëpamje kohore. Debati i sotëm u tregua mjaft i frytshëm, theksoi kryetarja e Komisionit, ndaj do të jetë ndihmesë e madhe në përpunimin e mëtejmë të këtij projektligji.