Lajmet e fundit

Dëgjim publik mbi Projektligjin e sigurimeve shëndetësore

, 08.02.2005




Projektligji i sigurimeve shëndetësore është segment shumë i rëndësishëm i shëndetësisë kosovare. Teksti i tij është i bazuar në përvojat dhe ligjet evropiane të këtij lëmi, por edhe në realitetin kosovar. Me këto konstatime filloi dëgjimi i sotëm publik lidhur me Projektligjin e sigurimeve shëndetësore, organizuar nga Komisioni për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, kryesuar nga Fatmire Mulhaxha- Kollqaku, kryetare e këtij Komisioni. Në këtë dëgjim publik ishin të pranishëm ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, z. Sadik Idriz me bashkëpunëtorë, si sponsores të këtij projektligji, pastaj përfaqësues të QKU-së, ekspertë të fushave përkatëse dhe përfaqësues të OJQ-ve e asociacioneve tjera. Ky projektligj, i cili siguron bazën e përshtatshme ligjore për politikat efektive , të cilat do të rregullonin organizimin dhe funksionimin e sigurimeve shëndetësore, është përkrahur në parim nga Kuvendi i Kosovës. Pjesëmarrësit e këtij debati përkrahën këtë projektligj, duke dhënë edhe disa vërejtje që shkojnë në funksion të begatimit të mëtejmë të tij. Në këtë frymë ata u përqendruan sidomos në çështjen e financiare me rastin e zbatimit të këtij ligji në praktikë. Përkitazi më këtë nga përfaqësuesit ë Ministrisë u theksua se implikimet financiare janë të natyrës së tillë, që mundësojnë sendërtimin e tij. Në deklaratën financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për implikimet financiare theksohet se në vitin 2005 janë të nevojshme 360 mijë euro, (përgatitjet teknike dhe kadrovike ) , ndërsa në vitet vijuese 2006 dhe 2007 parashihen nga 570 mijë euro. Në këto mjete përfshihen edhe shpenzimet për formimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Këto implikime buxhetore janë përllogaritur sipas proporcionit të tashëm të ndarjes së buxhetit në nivel të Qeverisë për sektorin e shëndetësisë , i cili është 11, 2 për qind.