Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për lirinë e asocimit në OJQ

, 09.02.2005




Komisioni për shërbime publike, administratë lokale dhe media, kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare, organizoi sot një dëgjim publik përkitazi me Projektligjin për lirinë e asocimit në OJQ, i cili është përkrahur në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ky projektligj rregullon themelimin, regjistrimin, udhëheqjen e brendshme, veprimtarinë dhe shuarjen e personave juridikë të organizuar si OJQ. Duke hapur debatin, z. Nekibe Kelmendi theksoi se nga ana e Kuvendit ky projektligj është cilësuar si akt i hartuar me teknikë të përsosur, duke synuar që të disiplinojë OJQ-të në llogaridhënien financiare , ku deri tash nuk kishte ndonjë rregull. Deputetët kanë identifikuar edhe disa mangësi të këtij projektligji, që do të evitohen në vijim të përpunimit të tij. Pjesëmarrësit e këtij dëgjimi publik i dhanë përkrahje hartimit të këtij projektligji, duke vlerësuar se qysh moti na është dashur një ligj i këtillë , i cili do të ketë nën ombrellë OJQ-të. U theksua se projektligji është i një rëndësie parësore për shoqërinë tonë që shpie drejt avancimit të nivelit të sigurimit të të drejtave themelore të njeriut. Ai është në pajtim me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Me këtë rast u dhanë edhe disa vërejtje e sugjerime që kishin për qëllim begatimin e tekstit të këtij projektligji. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua sidomos në nenet, përkatësisht pikat që kanë të bëjnë me regjistrimin dhe riregjistrimin, posaçërisht kur është fjala për afatet e kryerjes së këtyre procedurave. U tha se me rastin e regjistrimit OJQ-të patjetër duhet të paraqesin raportet financiare, por edhe projektet e punës. Në këtë mënyrë OJQ-të do të shtonin nivelin e transparencës për punën e tyre.