Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 10.02.2005
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i drejtuar nga Naser Osmani, kryetar i komisionit, në mbledhjen e të ciklit merrnin pjesë edhe ministri për Ekonomi dhe Financa, Haki Shatri, me këshilltarët e tij si dhe këshilltarët e USAID-it, ka shqyrtuar sot zërat e veçantë të Projektligjit për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës për vitin 2005 dhe ka bërë edhe amendamentimin e Projektligjin për verërat.
Për buxhetin e vogël të Kosovës prej 713,9 milionë euro, kërkesat e segmenteve të shfrytëzuesve buxhetor ishin të mëdha, prandaj edhe punë e madhe dhe me përgjegjësi e komisionit për t’i balancuar. Kështu komisioni vendosi që nga mbështetja buxhetore për Radiotelevizionin e Kosovës prej një milion euro, 400 mijë të derdhën në konton e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kurse zëri financiar prej 246 mijë euro i paraparë për ASHAK-në u propozua që të mbetet në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për financimin e punonjësve të Universitetit të Prishtinës. Ishte interesant që versioni i fundit i Ministrisë së Arsimit, krahasuarin me të parin, dallohej për më se 600 punonjës “ të rizbuluar” të Universitetit, kurse dallimi në paga është më shumë se 344 mijë euro.
Komisioni është pajtuar me buxhetin e përcaktuar për ministritë e reja prej një milion e gjysmë euro ( për paga, për lokalin dhe mjetet e punës).
Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka konstatuar se në shumën prej më shumë se 80 milionë euro për financimin e organizatave me përgjegjësi të rezervuar, mungonte zëri prej 12 milionë euro që ishte paraparë për Aeroportin e Prishtinës. Ishte qëndrim i komisionit, ndërkaq, që organizatat publike të ndihmohen nëpërmjet huadhënies vetëm kur të fillojnë t’i kthejnë borxhet dhe të aftësohen që t’i shërbejnë Buxhetit të Kosovës.
Në mesin e anëtarëve të komisionit pati pakënaqësi për zvogëlimin e buxhetit për Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe Sport, por pati edhe zëra se kjo ministri ka financuar aktivitete të parëndësishme kulturore dhe tifozllëqe të panevojshme sportive.
Për shkak se nuk i kishin marrë me kohë materialet që shqyrtoheshin dhe me arsyetimin se ishin ndryshuar pa u konsultuar zërat e veçantë tabelar për shfrytëzuesit e Buxhetit të Kosovës, anëtarët e komisionit nga radhët e Grupit parlamentar të PDK-së nuk kanë votuar dhe e kanë lëshuar mbledhjen e komisionit. Deputetët nga radhët e pozitës kanë vlerësuar se veprimi i tillë i kolegëve të tyre është i motivuar thjeshtë politikisht.
Vërejtjet, plotësimet dhe propozimet e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa do t’i dorëzohen Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për t’i radhitur për shqyrtim dhe miratim në seancën e ardhshme plenare.