Lajmet e fundit
Dëgjim publik për Projektligjin për teatrin
, 11.02.2005
Komisioni për arsim, shkencë, teknologji , kulturë , rini dhe sport i Kuvendit të Kosovës , kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i këtij Komisioni, organizoi dëgjim publik përkitazi me Projektligjin për teatrin, i cili në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës është përkrahur në parim nga deputetët. Projektligji për teatrin përcakton normat e veprimtarisë teatrore, formimin e teatrove dhe funksionimin e tyre. Përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës dhe ekspertët, që kishin punuar në hartimin e këtij projekti, në fillim theksuan se me këtë projektligj synohet një koncept bashkëkohor për teatrin. Të vetëdijshëm se ky lëmë artistik është mjaft i ndërlikuar, ata nuk harruan të theksojnë se janë gjendur para vështirësive të mëdha me rastin e hartimit të këtij akti. Ata ishin gjendur para dilemës se mos norma mund ta ngulfatë krijimtarinë teatrore si art, meqë disa çështje vështirë normohen e të mos lëndohet liria e krijimtarisë. Të gjitha këto i kishin parasysh edhe krijuesit teatrorë, tek të cilët vërehej një interesim i shtuar për t’ u inkuadruar në këtë debat, i cili nganjëherë shoqërohej edhe me tone të nxehta. Vëmendjen e krijuesve teatrorë e tërhiqnin sidomos çështjet se athua Teatri Kombëtar në Prishtinë do të bëhet servis i Ministrisë së Kulturës, mos është projektligji tepër administrativ, kush e përcakton repertorin e teatrove, a duhet të kenë teatrot trupa të përhershme artistike apo jo, pastaj procedura e zgjedhjes së organeve të teatrit etj. Të gjitha këto shqetësime përmblidheshin sidomos në dy probleme kryesore : tipat e teatrit dhe bordi i teatrit. Në këtë vështrim pjesëmarrësit harxhuan kohë paksa më të gjatë për të propozuar zgjidhje sa më adekuate ligjore, të cilat do t’ i bënin ballë kohës. Për shumicën e diskutuesve përcaktimi teatër kombëtar i qytetit nuk dukej adekuat, ndaj u kërkua të zëvendësohet ai me një term tjetër. Lidhur me këtë u dha propozimi që ky përcaktim të zëvendësohet me togfjalëshin teatër rajonal, duke u nisur nga fakti se me kohë edhe teatro të tjera të qyteteve të Kosovës mund të avancojnë veprimtarinë për të marrë statusin e teatrove profesioniste, siç janë tash për tash teatrot e Gjakovës dhe të Gjilanit. Komisioni mori zotimin se të gjitha këto vërejtje do të merren seriozisht për të bërë një ligj sa më të mirë, duke kujtuar njëkohësisht se norma nuk mund të respektojë të gjitha shijet individuale.