Lajmet e fundit

Debat publik në Projektligjin për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla

, 10.02.2005




Komisioni për ekonomi, tregti, industri, energjetikë, transport dhe telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga z. Fatmir Rexhepi–kryetar i Komisionit, sot mbajti debat publik për Projektligjin për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, Projektligj ky i cili në fund të muajit të kaluar, në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Kosovës, është përkrahur në parim.
Në këtë debat publik, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Qeverisë dhe Ministrisë për Industri e Tregti (si hartuese të këtij Projektligji), pastaj nga Oda Ekonomike e Kosovës, Asociacionet e Biznesit të Kosovës, si dhe agjencioni ‘’Riinvest’’ i Prishtinës.
Gjatë diskutimit për këtë Projektligj, të gjithë të pranishmit u pajtuan se Kosovës i duhet një ligj që do të ndihmojë, gjegjësisht rregulloj marrëdhëniet në këtë lëmë, si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë funksional, për shkak se, siç u theksua edhe në diskutime, në zhvillimin e gjithmbarshëm të ekonomisë së Kosovës, ndërmarrjet e vogla e të mesme në këtë drejtim janë forcë e rëndësishme motorike. Në ekonomitë e shumë vendeve të botës, ekonomia e vogël dhe e mesme merr pjesë me 90 e më tepër për qind, prandaj këtu edhe shihet rëndësia e tyre. Është mirë që në këtë Projektligj qartas të definohet përkrahja financiare nga buxheti i Kosovës, (i cili këtë vit , për këto ndërmarrje, nuk ka paraparë ndihmesë financiare), mënyra e kreditimit të këtyre ndërmarrjeve, investimet e jashtme në këtë lëmë, krijimi i zonave të lira doganore, bashkëpunimi me strukturat lokale e qendrore etj. Te shumica e diskutuesve mbisundoi mendimi se me këtë Projektligj duhet të rregullohen edhe disa çështje fundamentale siç është roli dhe rëndësia e Agjencionit për përkrahje, klasifikimi më i mirë i këtyre ndërmarrjeve sipas numrit të punëtorëve dhe mjeteve qarkulluese, pastaj disa çështje tjera të cilat drejtpërdrejt ndikojnë në punën dhe funksionimin më të mirë të këtyre ndërmarrjeve, si forcë motorike e zhvillimit të ekonomisë së Kosovës.
Në këtë debat publik, edhe pse pati mendime se ky Projektligj nuk është përgatitur mirë nga hartuesi dhe se i njëjti duhet kthyer në ripërpunim, prapëseprapë në fund u vendos që vërejtjet dhe rekomandimet, në formën e shkruar, t’i dërgohen Komisionit i cili në mbledhjen e vet të rregullt do t’i shqyrtojë me kujdes, në mënyrë që ato të vlefshme t’i marrë si rekomandime të veta në këtë Projektligj.