Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti shefin e UNMIK-ut Petersen

, 15.02.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot PSSP të OKB-së në Kosovë, Soren Jeseen-Petersen dhe ka biseduar me te për vizitën e presidentit të Serbisë Boris Tadiq në Kosovë dhe për të arriturat e deritashme të Kosovës në përmbushjen e standardeve.

Kryeadministratori Petersen ka shprehur kënaqësinë që vizita ka kaluar pa ndonjë incident dhe se atë e kanë përcjellë profesionalisht gazetarë serbë nga Beogradi dhe gazetarët shqiptarë. Kjo vizitë, ka thënë Petersen, e ka kthyer Kosovën në fokus të interesimeve, ndërkaq kryeadministratori ka shfaqur pakënaqësinë që Tadiq e ka ndryshuar agjendën e tij për çka ishin marrë vesh.

Porositë që u ka sjellë zoti Tadiq serbëve të Kosovës, nuk ua lehtësojnë jetën atyre dhe nuk iu ndihmojnë të integrohen në institucionet dhe në shoqërinë e Kosovës, përkundrazi, është shprehur kryeparlamentari Daci.

Kreu i legjislativit të vendit është shprehur i vendosur për përmbushjen e standardeve dhe në këtë kuadër edhe të realizimit të shtatë projekt-komunave në Kosovë, projekt të cilin është shprehur Petersen e ka përkrahur edhe Ministria e Pushtetit Lokal.

Pas takimit PSSP të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen u ka pohuar gazetarëve se i ka bërë ftesë kryeministrit Haradinaj ta shoqërojë në vizitën e tij në Nju -Jork.

 Daci, ndërkaq, është shprehur i gatshëm të dialogojë për çështje me interes për qytetarët dhe për projekte të mëdha të Paktit të Stabilitetit, siç janë rrugët dhe çështjet energjetike, por është shprehur i prerë se me Beogradin nuk do të dialogohet çështja e statusit të Kosovës. Statusi i vendit është çështje e institucioneve të Kosovës dhe e bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë Daci.