Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të Departamentit të Kimisë

, 21.02.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, e ka pritur sot një delegacion njëmbëdhjetë anëtarësh të Departamentit të Kimisë, të kryesuar nga prof. dr. Mujë Rugova.
Profesorët dhe punonjësit shkencorë të Departamentit të Kimisë e kanë njoftuar profesor Dacin me të arriturat dhe vështirësitë e punës arsimore dhe shkencore dhe kanë kërkuar nga kreu i legjislativit të vendit mbështetje më të madhe për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe për gjithë Universitetin e Prishtinës.
Kryeparlamentari Daci, i cili për shumë vjet ka qenë dhe vazhdon të jetë ligjërues në departamentin e Kimisë, i ka përgëzuar profesorët dhe punonjësit shkencorë të degës së Kimisë për rezultatet e shkëlqyera që kanë arritur, po ka shprehur edhe brengosjen e tij për vështirësitë, sidomos ato materiale, me të cilat ballafaqohen gjatë kryerjes së punës së tyre me përgjegjësi. Daci ka shprehur keqardhje pse institucionet e Kosovës, gjatë tri viteve të shkuara, nuk e kanë ndihmuar sa duhet Universitetin e Prishtinës. Duke përkujtuar faktin se në Universitet kanë filluar të gjitha proceset për ardhmërinë e Kosovës, është shprehur në favor të krijimit të kushteve më të mira të punës dhe të studimit. Për shkak të papërgjegjësisë së individëve nuk mund ta lejojmë të degradojë institucioni më i lartë arsimor i Kosovës, është shprehur i prerë Daci. Bashkëbiseduesit janë pajtuar se institucionet e vendit duhet ndërmarrë diç që të përmirësohet pozita materiale e punonjësve të Universitetit të Prishtinës dhe të mos ketë nevojë të fillojë greva e paralajmëruar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.