Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës miratoi katër ligje

, 23.02.2005




Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare kanë shqyrtuar për herë të dytë dhe kanë miratuar Projektligjin për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës dhe përvetësimet për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor 2005, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, atë për Verërat dhe atë për Lirinë e asociacionit në OJQ.
Po sot kuvendarët e Kosovës kanë shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për shërbimet sociale dhe familjare, Projektligjin për mbrojtjen e natyrës dhe Projektligjin për Banim.
Seanca plenare e deputetëve të Kosovës ka tumirë rekomandimin e Komisionit për Gjyqësi, legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese që Hamdi Podvorica të emërohet gjyqtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.
Të pakënaqur pse nuk është futur në rend të ditës debati për decentralizimin, siç kishte kërkuar këtu e një muaj më parë Grupi Parlamentar i PDK-së, deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë braktisur seancën plenare ende pa filluar shqyrtimi i ligjeve.
Megjithëse kryesuesi i Seancës, Fatmir Sejdiu, ishte munduar t’i bind deputetët e PDK-së, se pas miratimit të Projektit të miratuar nga Qeveria e Kosovës, të gjitha materialet për decentralizim do t’u dorëzohen deputetëve dhe se të hënën e ardhshme ose një javë më vonë mund të thirret një seancë për reformimin e pushtetit lokal, deputetët e PDK-së nuk kanë qëndruar në seancë.
Grupi Parlamentar i PDK-së më vonë ka mbajtur një konferencë shtypi me gazetarë dhe ka bërë publike arsyet për braktisjen e seancës së sotme.