Lajmet e fundit
Përfundon punën Projekti për Mbështetje Kuvendit të Kosovës
, 07.03.2005
Bordi Këshillimor i Projektit për Mbështetje Kuvendit të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e tij të fundit, para se më 11 mars ta përfundojë projektin e tij 18 mujor të punës mbështetëse për legjislativin e vendit. Projekti për Mbështetje Kuvendit të Kosovës, i dalë nga Konzorciumi i Asamblesë Nacionale të Francës, i Bundestagut Gjerman dhe i Parlamentit të Belgjikës, i menaxhuar nga Agjencioni Evropian për Rindërtim dhe i financuar nga Unioni Evropian, e ka përfunduar me sukses fazën e parë të misionit të tij në Kosovë. Ai e e ka ndihmuar Kuvendin e Kosovës në shumë drejtime, i ka deklaruar Zyrës për marrëdhënie me media, anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas përfundimit të mbledhjes së Bordit Këshillimor të Projektit. Sejdiu ka vlerësuar punën e Projektit për stërvitjen e stafit të Sekretariatit dhe të administratës së Kuvendit, për përmirësimin e procesit legjislativ ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit, për mbështetjen teknike të komisioneve, ndihmën për Rregulloren e re të punës së Kuvendit, Kodin e sjelljet (të dyja sipas standardeve evropiane) etj. Projekti i ka organizuar kontaktet ndërmjet deputetëve të Kosovës dhe atyre të Francës, të Gjermanisë dhe të Belgjikës, ka organizuar edhe dy forume: njërin në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve të Kuvendit me shoqërinë civile dhe tjetrin kushtuar marrëdhënieve ndërmjet pozitës dhe opozitës, si dhe e ka mbështetur projektin për rinovimin e Kuvendit të Kosovës me 500 mijë euro. Palët janë pajtuar që të gjenden mundësi për vazhdimin e ndonjë faze tjetër të Projektit për Mbështetje Kuvendit të Kosovës.