Lajmet e fundit
Deklaratë e kryeparlamentarit Nexhat Daci
, 08.03.2005
Ngritja e aktakuzës nga Gjykata e Hagës kundër Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është një ndërhyrje në procesin politik në Kosovë.
Qeveria e Kosovës si një qeveri e koalicionit të gjerë në njëqind ditët e saj u tregua shumë e përgjegjshme, shumë dinamike, një qeveri shumë e familjarizuar me kërkesat e nevojat e qytetarëve, një qeveri me një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, si vend i pavarur e me dinjitet i Evropës së bashkuar.
Ramush Haradinaj me krejt veprimtarinë e vet, si luftëtar e komandant i UÇK-së, si udhëheqës partiak dhe si burrë shteti i Kosovës u dëshmua si njeri i sakrificës, i dijes, i përkushtimit dhe i një energjie të pakursyeshme në shërbim të popullit dhe të Kosovës. Në punën e tij të palodhshme në institucione, përherë mbajti rrugën e gjetjes së zgjidhjeve, të respektimit të ligjit dhe të procedurave demokratike, të marrjes së vendimeve që janë në interes të gjithë qytetarëve dhe që shprehin interesat koncesuale. Qeveria e Kosovës edhe duke iu falënderuar kryeministrit Ramush Haradinaj u përball me sukses me të gjitha çështjet, ofroi rrugëdalje dhe zgjidhje të zbatueshme dhe të dobishme dhe imponoi një dinamikë të lakmueshme në ndërtimin e strategjisë për realizimin sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, si një zgjidhje e vetme e drejtë, që shpreh interesat e synimet e popullit.
Ramush Haradinaj dhe familja Haradinaj e ka dhe do ta ketë përherë përkrahjen dhe mbështetjen time personale dhe të institucioneve të Kosovës.
Gjykata e Hagës është një institucion i pavarur gjyqësor, i cili gëzon respektin e qytetarëve të Kosovës dhe të mbarë bashkësisë ndërkombëtare, dhe kjo më jep mundësi të besoj se Ramush Haradinaj do të shpallet i pafajshëm dhe do të kthehet të vazhdojë punën si kryeministër dhe se lufta e lavdishme e UÇK – së do të mbetet e pastër dhe e panjollosur . Qytetarët e Kosovës në të kaluarën dëshmuan një pjekuri dhe një përgjegjësi shumë të lartë, organizuan zgjedhjet më demokratike në gjithë Evropën Juglindore dhe krijuan institucionet e veta shtetërore në një periudhë rekorde, si dhe respektuan ligjshmërinë, duke treguar një kulturë të lartë demokratike.
Me besim të plotë konsideroj se një rrugë e tillë do të vazhdohet edhe në të ardhmen, dhe se të gjithë do të kemi forcë dhe kurajo që t’ i kapërcejmë të gjitha vështirësitë në rrugën tonë drejt pavarësisë, drejt ndërtimit të shtetit demokratik të Kosovës, si një vend normal evropian, për të jetuar, punuar e mësuar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Akademik Nexhat Daci