Lajmet e fundit
Mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 11.03.2005
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme shqyrtoi gjendjen aktuale në Kosovë, pas ngritjes së aktakuzës kundër Kryeminstrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryesia e vlerësoi lart gjestin dhe përkushtimin e Haradinajt, që edhe në këto momente të vështira t’ i shërbejë çështjes së Kosovës në të mirë të gjithë qytetarëve të saj. Ajo gjithashtu vlerësoi lart dinjitetin dhe përgjegjësinë e gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie partiake apo rajonale , që në mënyrë të qetë e demokratike e shprehën e po e shprehin pakënaqësinë për Aktakuzën e Gjykatës së Hagës, e cila cilësohet si një ndërhyrje në proceset politike në Kosovë.
Kryesia e Kuvendit inkurajon qytetarët që ashtu si edhe deri tash, edhe në të ardhmen, të tregojnë një kulturë të lartë , karakteristikë e vendeve demokratike evropiane dhe që të gjitha manifestimet të jenë paqësore, dinjitoze dhe në rrugë institucionale.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës njëzëri vendosi qe t’ i dërgohet një kërkesë Kryeadministratorit të Kosovës, z. Petersen, që të ofrojë të gjitha garancitë institucionale që Ramush Haradinaj të mbrohet në liri dhe të kthehet në Kosovë.