Lajmet e fundit
Kerkesë e Kuvendit-z. Petersen
, 11.03.2005
Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovë, zotëri Soren Jessen Petersen
Kërkesë e Kuvendit të Kosovës
që Kryeministrit të Kosovës në dorëheqje, zotëri Ramush Haradinajt, i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, t’ i ofrohen të gjitha garancitë për mbrojtje në liri.
I nderuari z. Petersen
Kuvendi i Kosovës, organ më i lartë përfaqësues e ligjvënës i popullit të Kosovës i zgjedhur me votën e lirë e demokratike të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 23 tetor 2004, kërkon nga Ju si autoritet me mandat të veçantë për Kosovë, të dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që të jepni të gjitha garancitë e duhura që Kryeministri i Kosovës në dorëheqje z. Ramush Haradinaj, i zgjedhur nga ky Kuvend në seancën plenare të 03 dhjetorit 2004, të mbrohet në liri dhe të qëndrojë në Kosovë, në territorin e administruar nga UNMIK-u, si i akuzuar i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë.
Zotëri Ramush Haradinaj me punën e vet në institucionet e Kosovës, dëshmoi një përkushtim të veçantë në respektimin e Ligjit dhe të procedurave demokratike. Në aktivitetin e angazhimin e tij si lider partie dhe si kryeministër dëshmoi përkushtimin për një barazi të gjithë qytetarëve, për respektimin e mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, për një bashkëpunim e partnerizëm me Misionin ndërkombëtar të vendosur në Kosovë, për zbatim të politikës së përmbushjes së standardeve dhe për një dialog konstruktiv brenda dhe jashtë Kosovës, në gjetjen e zgjidhjeve më të mira dhe më të pranueshme për të gjithë.
I nderuari Zotëri Petersen
Kuvendi i Kosovës konsideron se mbrojtja në liri e z. Ramush Haradinaj, i cili dy herë radhazi ishte i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve deputet i këtij Kuvendi, do t’i shpinte përpara të gjitha proceset në Kosovë për çka kemi një angazhim të jashtëzakonshëm të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht të Misionit në krye të cilit jeni Ju. Kjo do të ndikonte shumë mirë, si në situatën e përgjithshme politike e të sigurisë, ashtu edhe në vetë subjektin politik tejet të rëndësishëm, në krye të të cilit ishte z. Haradinaj. Kryeministri Ramush Haradinaj, pa iu imponuar nga askush, me të marrë njoftimin për aktakuzën e ngritur nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës menjëherë, brenda pak orësh dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit të Kosovës, duke u lënë kështu rrugë të hapur institucioneve të Kosovës dhe Misionit ndërkombëtar që të vazhdojnë normalisht punën.
Zotëri Ramush Haradinaj, me shkuarjen menjëherë të nesërmen në Hagë, me deklaratën publike drejtuar qytetarëve, kreu një punë të mirë që ndikoi dhe do të ndikojë tejet pozitivisht në rrjedhat e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Gatishmëria e z. Ramush Haradinajt që të mos thotë asgjë në publik në lidhje me aktakuzën e procesin, është një dëshmi e përcaktimit të tij se e respekton ligjin dhe Gjykatën e Hagës, që është i gatshëm të përballet me drejtësinë, pa qenë i interesuar për të pasur asnjë ndikim anësor, politik apo tjetër, as në prova as në dëshmitarë të këtij procesi.
I nderuari zotëri Petersen,
mbrojtja e z. Ramush Haradinajt në liri, në bazë të garancive që do t’i jepni Ju, do të ishte edhe një dëshmi për stabilitetin e krijuar në Kosovë, për misionin e suksesshëm Tuajin dhe të institucioneve të zgjedhura të Kosovës, do të ishte një pranim i realitetit se Kosova dhe njerëzit e saj është një vend normal me sundim të ligjit dhe të rregullit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës
Akademik Nexhat Daci