Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti shefin e Shtyllës së parë të UNMIK-ut, z. Zhan Dysur
, 14.03.2005
Në Akademinë Policore është shënuar progres, por në Kosovë ende mungon Shërbimi i inteligjencës, ndaj kur flitet për këtë lëmë, sugjerimi i parë do të ishte që të formohet ky shërbim. Ndërkaq, kur është fjalë për gjyqësinë, duhet theksuar se gjykatat kosovare po ballafaqohen me vështirësi të shumta, sidomos sa i përket hapësirës së punës, që as për së afërmi nuk i plotëson kushtet, si dhe stimulimit joadekuat të gjyqtarëve. Këta faktorë reflektohen edhe në efektshmërinë e gjykatave, në të cilat aktualisht vërehet një shpërputhje, meqë kundruall lëndëve të shumta, numri i gjykatësve është i vogël. Këto ishin disa nga konstatimet më thelbësore të takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci , me shefin e Shtyllës së Parë të UNMIK-ut, z. Zhan Dysur. Puna në realizimin e standardeve gjithashtu ishte temë që tërhoqi vëmendjen e bashkëbiseduesve. Në këtë frymë u kërkua të bëhet bartja e përgjegjësive nga ndërkombëtarët te strukturat vendëse , si në lëmin e policisë , ashtu edhe në atë të drejtësisë . Duke ditur rëndësinë e madhe që ka Shtylla e Parë e UNMIK-ut, u konstatua se është e nevojshme që të kemi një ministër që do të bashkëpunonte me këtë shtyllë. Në vijim u fol edhe për çështjen e decentralizimit. Ky proces është i mirëseardhur për qytetarët, sepse do të mund t’ iu ofrohen atyre shërbime me efikase e cilësore. Në këtë vështrim përkrahet decentralizimi, por jo ndarja e Kosovës.