Lajmet e fundit

Daci pret shefin e Zyrës Amerikane, Goldberg

, 14.03.2005




Në takimin që ka pasur sot kryetari Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, është biseduar për gjendjen në Kosovë, për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe punën e Kuvendit.
Kryeparlamentari Daci, gjendjen politike dhe të sigurisë në Kosovës, pas vetëdorëzimit të kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e ka vlerësuar të qëndrueshme, kurse përgjegjësinë e institucioneve të vendit dhe të qytetarëve të Kosovës e ka cilësuar të kënaqshme.
Daci e ka njoftuar diplomatin amerikan se Kuvendi i Kosovës nuk do të mblidhet edhe kësaj jave, në mënyrë që liderëve të partive politike t’u lë mundësi të bisedojnë për krijimin e Qeverisë së re. Daci, ndërkaq, ka thënë se ai vetë nuk merr dhe nuk do të marrë pjesë në bisedime lidhur me Qeverinë e re, sepse, kjo është çështje e partive politike dhe e liderëve të tyre, por se në Kuvend do të implementojë çdo marrëveshje të arritur, ka premtuar kreu i legjislativit të vendit.