Lajmet e fundit

Të mërkurën deputetët zgjedhin kryeministrin dhe Qeverinë e re të Kosovës

, 21.03.2005




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar, ka vendosur ta mbajë seancën plenare, të mërkurën, më 23 mars, ndërsa si pikë të parë ka paraparë zgjedhjen e kryeministrit dhe të Qeverisë së re të Kosovës. Kryesia ka kërkuar që konform Kornizës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, mandatari i Qeverisë, Bajram Kosumi, që sot ta njoftojë Kryesinë e Kuvendit me përbërjen e kabinetit qeveritar.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë të dytë : Projektligji për teatrin, ai për Ujitjen e tokave bujqësore, ai për Kujdesin ndaj kafshëve, ai për Mbrojtjen e natyrës, pastaj Projektligji për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ai për Inspektoratin e tregut dhe ai për Produktet e ndërtimit. Për herë të parë, ndërkaq do të shqyrtohen: Projektligji për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, ai për Sigurinë e përgjithshme të produkteve, Projektligji për evidencën penale dhe ai për Shërbimet e shoqërisë informatike.
Në po këtë seancë deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për gjyqësi, legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve; rekomandimin e Komisionit për telekomunikacion lidhur me vendimin e panelit në Ligjin për transportin rrugor; propozimin-vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit qendror për regjistrimin e popullsisë; propozimin-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit Rregullativ të Energjisë; propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Komisionit të pavarur për miniera dhe minerale, si dhe propozimin për zëvendësimin e dy anëtarëve të komisioneve të Kuvendit.