Lajmet e fundit

Daci priti kryesuesin e radhës së OSBE-së, Dimitrij Rupel

, 25.03.2005




Statusi i Kosovës është i panegociueshëm, sepse ky është vullneti i popullit të Kosovës dhe i institucioneve demokratike të vendit, është shprehur kryeparlamentari Daci në takimin me ministrin e punëve të jashtme të Sllovenisë dhe kryesuesin e radhës së OSBE-së, Dimitrij Rupel. Me Serbinë do të bisedohet në nivel institucional, si me çdo vend tjetër, për çështje me interes për ty dy vendet, por për fatin e Kosovës vendosin institucionet dhe qytetarët e Kosovës, është shprehur Daci pas ngritjes së idesë nga zotëri Rupel për ndonjë takim konfidencial me lidershipin serb. Kosova, ka thënë Daci, i ka synimet e qarta për demokracinë, lirinë dhe shtetin dhe ka shtuar se institucionet e Kosovës kanë për model vendet evroperëndimore. Do të jemi pjesë e Evropës dhe zhvillimet në Kosovë do të monitorohen nga mekanizmat e vendeve demokratike evropiane, është shprehur kreu i legjislativit të Kosovës.
Kryesuesi i radhës i OSBE-së dhe ministri i punëve të jashtme të Sllovenisë, Dimitrij Rupel, e ka uruar zotëri Dacin për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe ka shfaqur kënaqësinë për gjendjen e qëndrueshme në Kosovë dhe për raporte të mira të institucioneve të vendit dhe të qytetarëve me mekanizmat ndërkombëtarë këtu.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se institucionet demokratike, qëndrueshmëria dhe përmbushja e standardeve janë parakushte për një ardhmëri të sigurt të Kosovës. Kryeparlamentari Daci ka theksuar se Sllovenia është model i mirë për Kosovën dhe ka kërkuar që Sllovenia, ashtu siç ishte paraprijëse e proceseve në ish-Jugosllavi, ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të mëvetësisë e të përparimit, si dhe të jetë më e pranishme në zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë.