Lajmet e fundit

Nga vizita e delegacionit parlamentar të Kosovës në Athinë

, 30.03.2005




Në Greqi është duke qëndruar në një vizitë delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Nexhat Daci, në kuadër të të cilit bëjnë pjesë përfaqësues të grupeve kryesore parlamentare. Në kuadër të kësaj vizite delegacioni nga Kosova po zhvillon aktivitet mjaft të frytshëm. Ky delegacion sot është takuar me Elsa Papadimitru, e cila është kryesuese e delegacionit grek në Asamblenë Parlamentare të Evropës. Po kështu, parlamentarët nga Kosova janë takuar edhe me Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit të Greqisë, të përbërë nga deputetë nga pozita dhe opozita, të kryesuar nga ish-ministri Pangallos.
Në këto takime kryeparlamentari Nexhat Daci foli për proceset demokratike që po zhvillohen në Kosovë, për themelimin institucioneve dhe ndërtimin e Qeverisë së Kosovës. Ai me këtë rast falënderoi Greqinë për ndihmën e çmueshme që po jep për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pastaj kontributin e pjesëtarëve të KFOR-it Grek në Kosovë, të Zyrës së Greqisë në Kosovë, që janë ura të rëndësishme lidhëse ndërmjet dy popujve. Në këtë frymë, gjithë këto përpjekje reflektohen në mënyrë shumë pozitive në shtensionimin e marrëdhënieve në Rajon.
Nga pala greke u shpreh përkrahje e plotë për proceset aktuale që po zhvillohen në Kosovë. Njëkohësisht, u ofrua mbështetje për thellimin e bashkëpunimit rajonal, duke premtuar edhe angazhim konkret të Greqisë në Kosovë, sidomos në lëmin e zhvillimit më të shpejtuar ekonomik te vendit. Po kështu u manifestua gatishmëria e Greqisë për t’ u angazhuar në proceset që e çojnë Kosovën drejt integrimeve evroatlantike.
Kreu i legjislativit të Kosovës, Daci, ftoi Elsa Papadimtru, që në krye të një delegacioni parlamentar të vizitojë Kosovën, ftesë kjo që u pranua me kënaqësi.