Lajmet e fundit
Delegacioni Parlamentar i Kosovës vazhdon vizitën në Greqi
, 31.03.2005
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Nexhat Daci, i përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore parlamentare, po vazhdon vizitën në Greqi. Në kuadër të kësaj vizite ky delegacion pati një takim me një delegacion të Parlamentit të Greqisë, të udhëhequr nga nënkryetari i Parlamentit George Sourlas.
Parlamentarët kosovarë gjithashtu morën pjesë si vëzhgues në një seancë parlamentare. Kryesuesi i kësaj seance, z. Sourlas, i përshëndeti parlamentarët nga Kosova, në krye më kryeparlamentarin Daci, ndërsa deputetët e pranishëm këtë përshëndetje e shoqëruan me ngritje në këmbë dhe duartrokitje.
George Sourlas përkrahu rrugën e stabilitetit
Gjatë takimit z. George Sourlas përkrahu rrugën e stabilitetit në të cilën po ecën Kosova, duke theksuar se Greqia mbështet qëndrimin e Unionit Evropian ndaj Kosovës. Ai shprehu mendimin se Kosova do të shkojë përpara në aspektin e respektimit të të drejtave të minoriteteve, posaçërisht kur është fjala për respektimin e te drejtave të minoritetit serb. Ballkani duhet të krenohet me të kaluarën e vet, meqë kemi një traditë 2.500 vjeçare zhvillimi.
Historia e dhunshme ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, theksoi Sourlas, tani është koha të mos vuajë askush, të shkojmë drejt Evropës duke kultivuar një fqinjësi të mirë. Duke folur për kontributin e pjesëtarëve grekë në kuadër të KFOR-it në Kosovë, Sourlas tha se deri tash në kuadër të KFOR-it grek kanë kaluar 6 mijë ushtarë që dhanë ndihmesë të madhe për paqen dhe stabilitetin në Rajon.
Kryeparlamentari Daci u falënderua për angazhimin e Greqisë dhënë Kosovës, sidomos gjatë sulmeve të NATO-së, duke potencuar edhe rëndësinë e Greqisë që ka në Rajon, si anëtare e UE-së. Kreu i legjislativit të Kosovës kërkoi që edhe më tutje Greqia të angazhohet për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin e proceseve demokratike dhe qasje në mekanizmat evropianë.
Duke pasur parasysh faktin se Kosova e Greqia janë vende të afërta, Daci kërkoi angazhim më të madh të kapitalit grek në Kosovë, me theks të veçantë në ngritjen e hekurudhës Selanik-Mitrovicë si dhe të magjistrales Selanik–Prishtinë.
Kryeparlamentari Daci përkujtoi në vijim delegacionin grek me potencialet e mëdha ekonomike të Kosovës, sidomos në lëmin e mineraleve dhe energjetikës, të cilat duhet të valorizohen. Ai i njoftoi të pranishmit edhe me angazhimet dhe garancitë kushtetuese për pjesëmarrje të bashkësive etnike në institucionet kosovare.