Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për komunitetet

, 04.04.2005




Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe për kthim i Kuvendit të Kosovës, të cilin e kryesoi znj. Sanije Alijaj, nënkryetare e parë e Komisionit, sot mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën pika kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe aprovimi i plan programit të punës së këtij Komisioni për periudhën prill – qershor 2005.

Takim me ministrin Petković dhe me përfaqësues të policisë së UNMIK-ut dhe të SHPK-së

Kryesuesja e komisionit, Alijaj, duke folur për planin dhe programin e  komisionit për periudhën e lartpërmendur ka thënë se ky plan, përpos marrjes në shqyrtim të projektligjeve të ndryshme, ka për qëllim edhe mbajtjen e kontakteve me institucionet e Kosovës dhe me përfaqësuesit dhe institucionet ndërkombëtare.

Në tremujorin e dytë të vitit në vijim, anëtarët e Komisionit do të takohen me ministrin për komunitete dhe për kthim z. Slaviša Petković. Njëherësh do të takohen edhe me përfaqësues të policisë së UNMIK-ut dhe të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK), me përfaqësuesit e seksionit për demokratizim pranë Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, komisionerin e përkohshëm për media z. Robert Jillet dhe me përfaqësuesit e Komisariatit të lartë për Refugjatë (UNHCR) dhe të Programit për vendosje njerëzorje (HABITAT).

Ne bazë të plan programit, anëtarët e Komisionit në kuadër të vizitave punuese do të vizitojnë edhe kuvendet komunale të Prishtinës, të Mitrovicës dhe të Dragashit.

Në fund të kësaj mbledhjeje të rregullt, anëtarët e Komisionit me ndryshime dhe plotësime aprovuan planin dhe programin e punës të këtij Komisioni për periudhën prill–qershor 2005, dhe njëherësh morën vendim që nga Qeveria e Kosovës të kërkohet informata mbi realizimin e standardeve.