Lajmet e fundit

Daci priti shefin e ri të Zyrës Italiane, Patrick Mura

, 05.04.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot në një takim njohës shefin e ri të Zyrës Italiane në Kosovë, z. Patrick Mura dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë dhe për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Ka hapësira të gjëra për angazhimin e kapitalit italian në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Kryeparlamentari Daci e ka falënderuar shtetin italian për ndihmën dhënë popullit të Kosovës dhe ka vlerësuar se Italia si anëtare e Unionit Evropian dhe e Grupit të Kontaktit mund të luaj rol edhe më të madh për ardhmërinë e Kosovës. Ai ka konstatuar të ketë hapësira të gjëra për angazhimin e kapitalit italian në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në interes të dy vendeve.

Siguri e mirë ligjore financiare

Daci e ka vlerësuar gjendjen e mirë të sigurisë ligjore financiare në vend dhe e ka cilësuar shumë të sigurt dhe të mirë punën e bankave në Kosovë, si parakushte për investime të huaja në Kosovë.

Të përmbushen me kohë të standardet

Shefi i ri i Zyrës Italiane në Kosovë, z. Patrick Mura, ka shprehur qëndrimin e vendit të tij për mbështetje të zhvillimeve pozitive në Kosovë, me theks të veçantë për përmbushjen me kohë të standardeve. Ai ndërkaq ka vlerësuar se janë shumë të ndërlidhura çështja e statusit, e standardeve demokratike dhe e zhvillimit ekonomik të vendit.

Profesor Daci ka lavdëruar angazhimin e ish shefit të Zyrës Italiane, Salzano dhe ka shprehur bindjen se zoti Mura do të jetë po aq i suksesshëm në bashkëpunim me Kuvendin dhe me institucionet e tjera të Kosovës.