Lajmet e fundit
Takim pune i Komisionit Parlamentar për arsim me ministrin Veliu
, 06.04.2005
Arsimimi permanent i të gjithë qytetarëve për t’ u përballur me sukses me të gjitha sfidat e zhvillimeve teknologjike, unifikimi i sistemit të arsimit, reformimi i arsimit, sigurimi i hapësirës së nevojshme mësimore e shkencore, licencimi dhe aftësimi i mësimdhënësve dhe administratës arsimore, ngritja e dhe kontrolli i cilësisë në mësimdhënie, janë disa nga kërkesat me aktuale në fushën e strategjisë zhvillimore të arsimit në vitet 2005- 2007, të cilat dalin nga një plan më afatgjatë zhvillimi në këtë lëmë, në shkallë vendi. Këto ishin disa nga konstatimet e një takimi të punës të Komisionit për arsim, shkencë, teknologji , kulturë , rini dhe sport të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Enver Hoxhaj , kryetar i komisionit, me ministrin për arsim , shkencë e teknologji, z. Agim Veliu.
Ekziston një vetëdijësim më i gjerë shoqëror për një ndryshim rrënjësor në fushën e arsimit, duke ditur rëndësinë e madhe të tij për zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë, por çështje është se si këto rrjedha të përballohen nga ana buxhetore, duke ditur pozitën e palakueshme financiare, me të cilën ballafaqohet përgjithësisht shoqëria jonë , në veçanti arsimi. Në këtë vështrim u shestuan shumë propozime për zgjidhje sistemore në këtë lëmë, meqë baza materiale në të gjitha segmentet e arsimit, posaçërisht pagat e tashme tejet të ulëta të mësimdhënësve, nuk mundësojnë sendërtimin e planit të transformimit, në të gjitha shkallët e arsimit, edukimit dhe shkencës në Kosovë. Në planet e ministrisë zënë vend ide për shfrytëzimin e burimeve alternative të financimit në arsim, duke llogaritur edhe në partnerë nga bota. Një përmirësim të ndjeshëm në sferën e të ardhurave personale do të ofrojë nivelizimi dhe sistemi i ri i gradimit në arsim, i cili pritet të fillojë të aplikohet që nga 1 korriku i këtij viti.