Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti kryeministrin Kosumi
, 06.04.2005
Në kuadër të takimeve të rregullta me udhëheqësit e institucioneve të vendit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot kryetarin e Qeverisë, Bajram Kosumi dhe ka biseduar me te për bashkëpunimin ndërinstitucional lidhur me realizimin e programit të Qeverisë dhe për përmbushjen e standardeve.
Decentralizimi si standard dhe nevojë
Në takim është folur edhe për çështjen e decentralizimit, i cili nga bashkëbiseduesit është kundruar jo vetëm standard, por edhe nevojë jetësore e qytetarëve. Është vlerësuar shumë i rëndësishëm edhe vlerësimi teknik i standardeve, para vlerësimit politik të tyre nga grupi i Kontaktit, si parakusht për hapjen e çështjes së statusit të Kosovës.
Çështja e pavarësisë është e pa negociueshme
Daci dhe Kosumi janë pajtuar për krijimin e një trupi të përbashkët për negociata me Beogradin për çështje teknike në interes të qytetarëve të të dy vendeve, por kanë qenë të prerë se çështja e statusit të Kosovës, çështja e pavarësisë së vendit, është e pa negociueshme.
Për vizitën në Shqipëri dhe pagat në arsim e shëndetësi
Kryeministri Kosumi e ka njoftuar kryeparlamentarin Daci për vizitën e tij në Shqipëri, kurse kreu i legjislativit dhe ai i ekzekutivit të vendit kanë biseduar edhe për çështjen e arsimit dhe të shëndetësisë, duke sheshuar problemet dhe gjetur mundësi për rritjen e pagave në këto veprimtari me interes të gjerë shoqëror.