Lajmet e fundit

Kryetari Nexhat Daci pati takime të ndara me ministrin Veliu dhe me rektorin Bajrami

, 06.04.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, priti sot në takime të ndara ministrin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Agim Veliun dhe rektorin e Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arsim Bajramin.

Greva e mësimdhënësve universitarë duhet të ndërpritet

Kryetari Daci i njoftoi ministrin dhe rektorin se ai e ka ndërmarrë këtë nismë, që është në të mirë të arsimit dhe shumë e rëndësishme për fatin e Kosovës, për zgjidhjen e së cilës janë të interesuar jetësisht edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, sepse gjendja e tanishme në arsimin universitar, si dhe raportet ndërmjet këtyre dy institucioneve kyçe është e pa tolerueshme dhe se duhet të gjendet zgjidhja institucionale dhe ligjore në mënyrë që puna t’ i kthehet normales. Duke mos iu kthyer të kaluarës, dhe duke mos vlerësuar se i kujt është faji, kryeparlamentari Daci theksoi se greva e mësimdhënësve universitarë duhet të ndërpritet menjëherë dhe të gjendet mundësia e rritjes së pagave, që më vonë do të vazhdojë edhe në shëndetësi, në nivelet tjera të shkollimit dhe në shërbimet e tjera publike. Me këtë u pajtuan që të gjithë, edhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, i cili po gjatë ditës pati një takim me kryetarin Daci, ku u trajtua edhe kjo çështje.

Universiteti i Prishtinës duhet plotësisht të depolitizohet

Gjithashtu, që të gjithë u pajtuan që Universiteti i Prishtinës duhet plotësisht të depolitizohet dhe të reformohet konform standardeve evropiane dhe Kartës së Bolonjës, ndërsa mjetet për Universitetin të zhbllokohen dhe të përdoren në destinimet e parapara me Ligjin e arsimit të lartë dhe me Statutin e Universitetit.
Nuk pati mirëkuptim nga ana e rektorit Arsim Bajrami për propozimin që në Universitetin e Prishtinës të mbahen zgjedhjet në të gjitha nivelet, pasi ai këtë e cilësoi si kthim prapa dhe si anulim të zgjedhjeve të mbajtura, ani që propozimi kishte të bënte me atë që procesit të ri zgjedhor duhet t’ i hyhet me qëllim të zhbllokimit të gjendjes dhe me qëllim që me kuadro të reja, të afta profesionale dhe të depolitizuara nga ndikimet partiake, të bëhet procesi i reformave dhe i transformimit të arsimit të lartë, në funksion të avancimit të punës kërkimore shkencore dhe mësimore, në valorizim dhe pranimin e vlerave, si shtytje proceseve zhvillimore në Kosovë.

Hapat e mëtejmë të Qeverisë

Në bisedën ndërmjet kryeparlamentarit Daci dhe kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, u përcaktuan hapat e mëtejmë që do t’ i marrë Qeveria e Kosovës në kuadër të kompetencave që i ka, për të zgjidhur drejt këtë çështje, për të stabilizuar gjendjen, si dhe për të parandaluar dhe kundërshtuar tendencat që kjo çështje të shfrytëzohet me qëllim të destabilizimit të vendit dhe të pengimit të hapjes së procesit të statusit të Kosovës.