Lajmet e fundit

Daci takon kryetarët e komisioneve parlamentare

, 07.04.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, është takuar sot me kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ka biseduar me ta për mundësitë e angazhimit më të madh dhe më profesional në amendamentimin e ligjeve dhe shqyrtimin edhe të çështjeve të tjera në kompetencë të komisioneve.

Mund të punohet më me efikasitet

Kryeparlamentari Daci ka theksuar se, me gjithë kushtet jo të mira të punës së deputetëve nëpër komisionet parlamentare (për mungesë zyresh dhe të infrastrukturës tjetër përcjellëse), mund të punohet më me efikasitet.

Për një këshill ekspertësh ligjor

Daci është angazhuar që të krijohet një këshill ekspertësh ligjor, të cilët do të punonin për cilësinë e ligjeve dhe do të hetonin kompatibilitetin e sistemit juridik në Kosovë. Një këshillë i tillë, është shprehur kreu i legjislativit, do të shërbente si një bërthamë shumë profesionale për hulumtime në lëmin e legjislacionit, ngjashëm me zgjidhjet që ka bërë Kongresi Amerikan dhe Asamblea Nacionale e Francës.

Më shumë ekspertë dhe dëgjime publike

Komisionet të angazhojnë ekspertë dhe të mbajnë dëgjime publike, është shprehur Daci, i cili është angazhuar edhe për kontakte të kuvendarëve të Kosovës me parlamentet e shtetet e euro-perëndimore dhe me parlamentet e rajonit.

Janë hequr arsyet për fërkime me ndërkombëtarët

Kreu i legjislativit të Kosovës ka konstatuar se nga ardhja e kryeadministratorit Petersen janë mënjanuar arsyet për fërkime me Zyrën Ligjore të UNMIK-ut. Në këtë kontekst edhe kryeparlamentari Daci, por edhe kryetarët e komisioneve kanë kërkuar që bashkëpunimi me Zyrën Ligjore të UNMIK-ut të jetë i përhershëm, kurse e përhershme të jetë edhe prania e ekspertëve juridik të kësaj zyre në punën e komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të ketë sa më pak vërejtje pas miratimit të ligjeve dhe që ato të shpallen me kohë.

Për kushte pune dhe infrastrukturë përcjellëse

Kryetarët e komisioneve kanë qenë unik në kërkesat e tyre për kushte më të mira pune të deputetëve në komisione dhe për infrastrukturë të mirë përcjellëse të punës së tyre. Madje disa nga ta kanë kërkuar edhe buxhet të veçantë për komisionet.

Ligjet të shpallen me kohë

Ata gjithashtu kanë konstatuar se kundërshtimet e shpeshta të ligjeve të miratuara nga deputetët e koalicionit Kthimi dhe panelet e shpeshta dhe jofunksionale kanë bërë që shumë ligje të mos shpallen nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm i OKB-së në Kosovë, dhe për pasojë të mbesin të parregulluara shumë fusha të jetës, praktikë që nuk guxon t’i përsëritet kësaj legjislature, kanë thënë kryetarët e komisioneve në takim me kryeparlamentarin Daci.

Daci takon kryetarët e komisioneve parlamentare