Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti ushtruesin e detyrës së shefit të OSBE-së në Kosovë, z. Jens Modvig

, 12.04.2005




Ushtruesi i detyrës së shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Jens Modvig, ia dorëzoi sot zyrtarisht kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një ekzemplar të fjalorit shumëgjuhësh të terminologjisë profesionale. Këtë fjalor, i shtrirë në afro 800 faqe, e ka hartuar OSBE-ja në tri gjuhë : shqip, serbisht dhe anglisht. Ai përmbledh terminologji juridike e politike, por edhe terma të tjerë që kryesisht gjejnë përdorim në fushën e legjislacionit. Fjalori, që është dorëzuar edhe në kopje elektronike, do të përdoret nga ana e deputetëve, komisioneve dhe mbarë Parlamenti i Kosovës. Botimi do të jetë ndihmesë shumë e çmuar në njësimin e teksteve të projektligjeve.

Eliminohen pasaktësitë në variantet e ligjeve sipas gjuhëve

Me këtë rast kryeparlamentari Daci falënderoi OSBE-në për këtë punë të vlefshme, që do të ndikojë në eliminimin e pasaktësive në variantet e ligjeve sipas gjuhëve, rrjedhimisht ai do të shmangë edhe vërejtjet e shpeshta që bëheshin në adresë të projektligjeve edhe nga ana e parlamentarëve serbë. Gjatë këtij takimi u fol edhe për çështje tjera të bashkëpunimit të Kuvendit dhe OSBE-së. Kreu i legjislativit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, falënderoi OSBE-në për punën e deritashme në Kosovë. Funksionimi i OSBE-së, theksoi Daci, edhe më tutje është i nevojshëm, ashtu si edhe i UNMIK-ut. Kryeparlamentari në këtë frymë veçoi sidomos kontributin e OSBE-së në polici dhe në proceset e gjithmbarshme të demokratizimit në Kosovë.

Puna e Kuvendit është e hapur

OSBE-ja monitoron punën e Kuvendit të Kosovës. Për këtë ajo jep edhe vlerësime, të cilat edhe i distribuon. Meqë në këto vlerësime nuk ka vërejtje për respektimin e procedurave, kryeparlamentari Daci tha se OSBE- ja duhet të përmbyllë procesin e monitorimit të Kuvendit. Ndërkaq, puna e Kuvendit, si gjithnjë, do të jetë e hapur.

Kryeparlamentari Daci priti ushtruesin  e detyrës së shefit të OSBE-së në Kosovë, z. Jens Modvig