Lajmet e fundit

Daci priti Ministren e Punëve të Jashtme të Austrisë, Ursula Plassnik

, 14.04.2005




Kryetari i kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një delegacion nga Ministria e Jashtme e Austrisë, të kryesuar nga ministrja Ursula Plassnik.

Është biseduar për çështjet që e preokupojnë Kosovën dhe për ndihmën e Austrisë në lehtësimin e rrugës zhvillimore të Kosovës.

Probleme të shumta ekonomike dhe sociale

Profesor Daci ka folur gjerësisht për problemet e mëdha ekonomike dhe sociale të Kosovës, duke theksuar rrënimin total nga lufta të asaj ekonomie që kishte Kosova. Ai ka vënë në pah se vështirësitë ekonomike të Kosovës kanë të bëjnë edhe me statusin e pa definuar të Kosovës dhe për pasojë edhe mospjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

Për hartimin e strategjisë zhvillimore të Kosovës

Kreu i legjislativit të Kosovës, prandaj, ka kërkuar mbështetjen e Austrisë për hartimin e strategjisë zhvillimore të Kosovës. Daci e ka garantuar zonjën Plassnik se institucionet e Kosovës do t’i hyjnë decentralizimit, por ka theksuar edhe faktin që mundësitë financiare të Kosovës për një projekt të tillë janë të vogla. Ai ka thënë se Kosova do të mbështetet edhe në përvojën austriake në lëmin e decentralizimit.

Decentralizimi të jetë efektiv

Ministrja e Jashtme e Austrisë Dr. Ursula Plassnik, ka tërhequr vërejtjen që duhet pasur kujdes që decentralizimi të jetë efektiv dhe jo mbi baza etnike, religjioze a krahinore.

Për rolin e opozitës

Në interesimet e mysafires për rolin e opozitës në Parlament, kryetari i Kuvendit të Kosovës është përgjigjur se ka pasur sugjerime gjithandej nga ndërkombëtarët për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë, por kemi dashur që sa janë prezent faktorët ndërkombëtarë në Kosovë, të mësohemi me funksionimin e pozitës dhe të opozitës.

Nuk do të kemi krizë institucionale

Daci ka përjashtuar mundësinë e ndonjë krize institucionale nga veprimtaria e opozitës. Ai është shprehur qartë që duhet të mësohemi edhe ne në Kosovë se pushteti merret vetëm nëpërmjet votës së lirë.

Ministrja Plassnik ka premtuar mbështetjen e institucioneve të Kosovës me ekspertë nga Austria, kurse kryeparlamentari Daci është fokusuar sidomos në ndihmën e Akademisë Politike të Vjenës.

Daci priti Ministren e Punëve të Jashtme të Austrisë, Ursula Plassnik