Lajmet e fundit

Komisioni parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Bashkësive dhe Kthim vizitoi komunën e Prishtinës

, 19.04.2005




Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Bashkësive dhe Kthim i Kuvendit të Kosovës, të cilin e kryesoi Sanije Alijaj–nënkryetare e parë e Komisionit, sot vizitoi Kuvendin e komunës së Prishtinës.

Në mbledhjen e organizuar në Kuvendin e komunës së Prishtinës , të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, z. Ismet Beqiri, e ku morën pjesë edhe shefat e shërbimeve të administratës dhe atyre ligjore, duke i informuar anëtarët e komisionit për punën e komunës së Prishtinës, kryetari Beqiri përveç tjerash tha se prej gjithsej 700 të punësuarve në administratën e komunës, 11.27% të tyre e përbëjnë minoritetet. 

Krahas kësaj, në komunë ekzistojnë dy zyra për çështje të pakicave dhe një në kuadër të zyrës së komunës por me seli në Graçanicë.  Që të tria kryejnë punë në fushëveprim të interesave të minoriteteve që punojnë dhe jetojnë në komunën e Prishtinës dhe ku janë të punësuar. 

Në vazhdim, kryetari Beqiri theksoi se në administratën e komunës të gjitha dokumentet personale lëshohen në gjuhën amtare të bashkësive etnike, se para një kohe nga ana e komunës është ndarë një lokal ku përfaqësuesit e bashkësisë Boshnjake kanë hapur Qendrën e vet kulturore. 

Komuna ka ndihmuar me mjete financiare edhe ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Bardhosh (ku bashkërisht jetojnë shqiptarët dhe serbët) dhe se para disa javësh në shtëpitë e veta janë kthyer gjithsej 18 familje rome dhe hashkalinjë.

Gjatë bisedës në KK të Prishtinës, u theksua se rëndësi e posaçme i kushtohet edhe plotësimit të detyrave dhe obligimeve që i përkasin kësaj komune për plotësimin e standardeve të përcaktuara nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Komisioni parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Bashkësive dhe Kthim vizitoi komunën e Prishtinës