Lajmet e fundit

Nga punimet e Seancës Plenare

, 21.04.2005




Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar sot në seancë plenare tri projektligje. Për herë të dytë janë shqyrtuar Projektligji për shërbimet sociale dhe familjare dhe Projektligji për Komisionerin e Përkohshëm për Media, të cilët pas shqyrtimit të amendamenteve të komisioneve parlamentare edhe janë miratuar. Për herë të parë, ndërkaq është shqyrtuar Projektligji për arsimin dhe aftësimin e personave të rritur.

Për shkak se në votim nuk ka kaluar kërkesa e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për shtrim në seancë të çështjes së decentralizimit dhe kërkesa e nënshkruar nga 31 deputetë të të njëjtit grup parlamentar për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për keqpërdorimet e përfolura ndaj të një pjese të kabinetit qeveritar, deputetët e PDK-së e kanë braktisur seancën plenare dhe më vonë kanë mbajtur edhe një konferencë me gazetarë ku kanë prezantuar arsyet e braktisjes së seancës.

Pasi nga shumica e deputetëve nuk janë pranuar propozimet e Grupit Parlamentar ORA që të shtyhet miratimi i Projektligjit për Komisionerin e Përkohshëm për Media si dhe të mos debatohet sot për Rekomandimet e Komisionit për hartimin e Rregullores së Punës së Kuvendit edhe deputetët nga radhët e partisë ORA e kanë braktisur seancën.

Seanca do të vazhdojë nesër, për të shqyrtuar për herë të parë edhe katër projektligje të tjera, si dhe rekomandimin e Komisionit për hartimin e Rregullores së Punës së Kuvendit, raportin e Komisionit për tregti dhe industri lidhur me vërejtjet e UNMIK-ut në Ligjin për tregti me naftë dhe derivate të saj, si dhe raportin e Komisionit për buxhet dhe financa në Ligjin kundër korrupsionit.
Nga punimet e Seancës Plenare