Lajmet e fundit
Kryepalamentari Daci takon Komisionin e komuniteteve
, 25.04.2005
Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot anëtarët e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim dhe ka biseduar me ta për rolin e këtij komisioni kryesor të Kuvendit për miratimin e legjislacionit të Kosovës dhe për përmbushjen e standardeve.
Të funksionalizohet Komsionini për Interesat e Komuniteteve
Në takim janë sheshuar mundësitë e funksionalizimit të këtij komisioni dhe të krijimit të kushteve që amendamentet e propozuara nga komisioni, të gjejnë përkrahje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa për zyre pune dhe përfaqësim në mekanizma të Kuvendit
Anëtarët e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, sidomos ata që nuk përfshihen në ndonjërin grup parlamentar, kanë pasur edhe kërkesa shtesë që kishin të bënin me zyre pune, me përfaqësim në Kryesinë e Kuvendit e nëpër Komisione parlamentare dhe për punësim të minoriteteve nëpër institucionet shtetërore të Kosovës.
Ata kanë kërkuar që e drejta për përfaqësim në Kryesi dhe në komisione të mos i rezervohet grupit Parlamentar 6+, sepse ai nuk i përmbledh të gjithë deputetët nga radhët e minoriteteve, kanë spikatur anëtarët e komisionit.
Në këtë takim ka pasur vërejtje edhe rreth vizitës në Maqedoni dhe Mal të Zi të ministrave Sllavisha Petkoviq dhe Lutfi Haziri, lidhur me kthimin në Kosovë të të zhvendosurve, ku është biseduar me pjesëtarë të disa minoriteteve pa praninë e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.
Po kërkesave për zyre dhe punësim
Kryeparlamentari Daci e ka mbështetur kërkesën e përfaqësuesve të minoriteteve jashtë grupeve parlamentare për kushte dhe hapësirë pune dhe ka premtuar se do të angazhohet edhe për punësim të pjesëtarëve të këtyre minoriteteve në institucionet e Kosovës.
Ai ndërkaq ka thënë se çështja e pjesëmarrjes në Kryesi dhe në komisionet parlamentare është rregulluar me Kornizën Kushtetuese, e cila deputetëve jashtë grupeve parlamentare ua mundëson vetëm pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve, por pa të drejtë vote.