Lajmet e fundit
Daci priti shefin e Zyrës amerikane, Goldberg
, 26.04.2005
Zhvillimet politike në Kosovë, gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale që mund të kenë reflektime politike të pavolitshme, çështja e bisedimeve për statusin dhe tejkalimi i acarimeve të panevojshme ndërmjet pozitës dhe opozitës kanë qenë çështjet që janë shtruar në takimin që ka pasur sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me shefin e Zyrës s amerikane, në Prishtinë, Philip Goldberg.
Formulë gjithëpërfshirëse për statusin
Duke i trajtuar sfidat që e presin Kosovën, sidomos sa i përket statusit, është vlerësuar e domosdoshme gjetja e një formule gjithëpërfshirëse e institucioneve dhe e veprimit të përbashkët të pozitës dhe opozitës. Duke u hedhur një vështrim disa incidenteve në seancat e Kuvendit, Daci është shprehur se përfaqësuesit e opozitës kanë marrë shumicën kohës në foltore dhe se ai si kryesues, kujdeset të punojë konform Rregullores së Punës së Kuvendit.
Për një strategji zhvillimore për Kosovën
Profesor Daci është shprehur për një strategji zhvillimore për Kosovën dhe në këtë vështrim ka kërkuar mbështetjen e SHBA-ve dhe të vendeve të tjera perëndimore.
Për decentralizimin do të debatohet në Kuvend
Kreu i legjislativit të Kosovës e ka garantuar diplomatin amerikan se çështja e decentralizimit do të debatohet në Kuvendin e Kosovës.
SHBA-të interesuar për procese pozitive në Kosovë
Shefi i Zyrës s amerikane, në Prishtinë, Philip Goldberg, duke pasur parasysh kompleksitetin e problemeve në Kosovë është shprehur se, qeveria e vendit të tij dhe Zyra në Prishtinë , të cilën e udhëheq, janë të interesuara për zhvillime pozitive në Kosovë dhe për tejkalimin e problemeve, sidomos në planin e funksionimit të institucioneve dhe tejkalimin e acarimeve të panevojshme partiake në Kuvend e gjetiu.