Lajmet e fundit

Komisioni Parlamentar për shëndetësi

, 27.04.2005




Implikimet financiare dhe amendamentet në Projektligjin për sigurimet shëndetësore, të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë, ishin në qendër të vëmendjes së mbledhjes së sotme të Komisionit për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Fatmire Mulhaxha – Kollqaku, kryetare e këtij komisioni , në të cilin merrnin pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri dhe ministri i Shëndetësisë, Sadik Idriz.

Kosto e lartë financiare

Gjithë tehu i diskutimeve ishte i përqendruar në atë se si të gjenden rrugët për zbatimin e këtij ligji të ardhshëm, në aspektin financiar. Problem më vete është çështja e pushimeve mjekësore dhe të lehonisë, të cilat kërkojnë mjete mjaft të mëdha financiare, të cilat në gjendjen e tashme të Buxhetit të Kosovës është vështirë të përballohen. Këtë e pohoi edhe ministri Shatri, i cili tha se kostoja për këto pushime është shumë e lartë për Buxhetin e Kosovës, madje shifrat që jepen tash për tash është e pamundur të përmbushen. Shatri ishte i mendimit që, megjithatë ,të procedohet me këtë projektligj në Kuvend dhe varësisht nga krijimi i bazës materiale të caktohet afati kur do të fillojë të zbatohet ligji . Për vazhdim të procedimit të këtij projektligji ishte edhe ministri i Shëndetësisë Sadik Idriz. Të gjithë të pranishmit ishin të një mendjeje se ky ligj është tepër i rëndësishëm për punonjësit kosovarë dhe të ardhmen e vendit – fëmijët, por ata donin të dinin se kush do të marrë përsipër çështjen e pagesës së mjeteve për kompensimin e pushimeve të lehonisë dhe të atyre mjekësore.

Pushimet e lehonisë dhe ato mjekësore në kuadër të Fondit

Në këtë frymë kishte propozime që kjo çështje bukur e ndërlikuar, edhe nga fakti se në Kosovë mungon Ligji për marrëdhënie pune, të zgjidhet hap pas hapi, duke hulumtuar zgjidhjet, por edhe duke shikuar më hollësisht se sa është në të vërtetë shifra e saktë e kompensimit të këtyre pushimeve . Gjithsesi, për këtë projektligj do të jepet edhe mendimi i Komisionit për Buxhet i Kuvendit të Kosovës. Të pranishmit, ashtu si është thënë edhe në shqyrtimet e mëhershme, u pajtuan që të formohet Fondi për sigurimet shëndetësore në Kosovë, i cili dalëngadalë do të shtrihej edhe nëpër komuna, ndërsa do të përfshijë pushimet mjekësore dhe ato të lehonisë. Duke ndier rëndësinë e këtij projektligji, anëtarët e Komisionit do të vazhdojnë me ngulm shqyrtimet në amendamentet e këtij Projektligji, në mënyrë që sa më parë t’ i ofrohet për miratim Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Parlamentar për shëndetësi