Lajmet e fundit
Daci priti drejtorin e KKSHA-së, Fran Shkreli
, 27.04.2005
Si të ecet më shpejt dhe në mënyrë më të sigurt në procesin e përcaktimit të statusit për Kosovën dhe si mund ta ndihmojë këtë proces Këshillit Shqiptaro-Amerikan, ishte tema bosht e takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me drejtorin ekzekutiv të KKSHA, z. Fran Shkreli.
Kryeparlamentari Daci e ka njoftuar zotin Shkreli me zhvillimet në Kosovë dhe përgatitjen e institucioneve të Kosovës për procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, konform vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës.
SHBA-ja rolin parësor për procesin e statusit
Daci ka thënë në takim që institucionet e Kosovës dëshirojnë që rol të dorës së parë në procesin e përcaktimit të statusit për Kosovën të kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Petersen po luan rol pozitiv për Kosovën
Ai ndërkaq ka thënë se kryeadministratori Petersen po luan rol pozitiv në këtë proces dhe e ka fituar besimin e kosovarëve.
Grupi vendor dynivelësh për procesin e statusit
Daci ka theksuar se grupi kosovar për procesin e statusit do të veprojë në dy nivele: në atë vendimmarrës dhe atë të ekspertëve.
KKSHA, urë lidhëse ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës
Do të shërbejmë si një urë ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit, për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është shprehur drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Fran Shkreli, i cili është njohës i shkëlqyer i historisë së shqiptarëve dhe të rajonit të Ballkanit.
Të shtohet ndihma në këtë moment vendimtar për vendin
Daci dhe Shkreli kanë vlerësuar ndihmën shumë të madhe të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për Kosovën dhe janë pajtuar se ndihma do të jetë tepër e nevojshme për periudhën vendimtare në të cilën po hyn çështja e Kosovës.