Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti tre përfaqësues të Solanës

, 28.04.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot përfaqësuesit e Zyrës së z. Havier Solana, në Bruksel: drejtorin e përgjithshëm të zyrës, Stefan Lehne, këshilltarin Alexandros Ysnnis dhe Fernando Gentilinin –përfaqësues special i Solanës për Kosovë. Zyrtarët e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Unionit Evropian janë interesuar për procesin e statusit për Kosovën, për plotësimin e standardeve, për decentralizimin dhe dialogun e brendshëm në Kosovë dhe atë me Serbinë.

Decentralizimi në seancën e radhës në muajin maj

Kryeparlamentari Daci, duke folur për zhvillimet në Kosovë dhe procesin për përcaktimin e statusit, është shprehur se Kosova ka njerëz dhe institucione të përgatitura për procesin e statusit dhe për takime të të gjitha niveleve dhe pa asnjë kompleks. Daci i ka njoftuar përfaqësuesit e Solanës se standardet për Kosovën do të përmbushen dhe se çështja e decentralizimit do të debatohet në seancën e radhës në muajin maj.

Bashkësia ndërkombëtare - e pranishme përherë në Kosovë

Duke folur për fërkimet që kanë ndodhur në seancat parlamentare kohëve të fundit, Daci është shprehur se Kuvendi ka një rregullore, të cilës ai i përmbahet dhe ka shtuar se liderët e opozitës dhe të gjithë deputetët duhet ta mësojnë se në foltore nuk dilet pa lejen e kryesuesit dhe duhet të respektohet koha e paraparë për debat.
Në pyetjen e zyrtarëve nga Brukseli, se cili do të jetë roli i bashkësisë ndërkombëtare për përcaktimin e statusit të Kosovës, kryeparlamentari Daci është përgjigjur se bashkësia ndërkombëtare do të jetë e pranishme përherë në Kosovë, sidomos KFOR-i dhe OSBE-ja. Prezenca profesionale dhe monitoruese e mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë, vetëm sa e ndihmon Kosovën, është shprehur Daci.
Zyrtarët nga Brukseli kanë sugjeruar që në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, institucionet dhe subjektet politike t’i tejkalojnë përçarjet partiake dhe të veprojnë në mënyrë unike.

Kryeparlamentari Daci priti tre përfaqësues të Solanës