Lajmet e fundit

Komisioni Parlamentar për arsim takohet me fondacionin “Konrad Adenauer- Stiftung”

, 29.04.2005




Ngritja e procesit mësimor, sidomos në aspektin e shtimit të efektshmërisë, avancimi i mëtejmë i institucionit të shkollës në përputhje me normat më të reja të shkollës evropiane, synimet për ndërtimin e sistemit të mirëfilltë arsimor, rrymimet edukative, pedagogjike e metodike nga të cilat përshkohet shkolla në Kosovë , infrastruktura ligjore në këtë lëmë, ishin në qendër të vëmendjes së një takimi të sotëm pune të Komisionit për arsim, shkencë, teknologji , kulturë , rini dhe sport i Kuvendit të Kosovës , kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, me një delegacion të fondacionit “Konrad Adenauer- Stiftung”, të përbërë nga përfaqësuesit e këtij institucioni, si: Gynter Fortune, Dorit Fortune, Shtefi Lamers dhe Bernard Lamers. Në këtë takim ishin ftuar edhe drejtorë të drejtorateve të arsimit nga komunat e Kosovës.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve u tha se është e nevojshme të përcaktohen orientimet e punës së mëtejshme, duke vendosur edhe standarde të caktuara të dijes në çdo lëndë mësimore. Këto standarde duhet të vendosen nga vetë shkollat, kuptohet duke angazhuar ekspertë , por jashtë çdo ndikimi partiak, ose imponimi. Dija dhe puna e gjithmbarshme e shkollës duhet vazhdimisht të vlerësohet, duke u testuar nga jashtë. Kjo nuk guxon t’ i ngjajë ndonjë vëzhgimi e vlerësimi “policor”. Gjithë kjo duhet të bëhet me qëllim të arritjes së standardeve të përbashkëta dhe unitetit të shkollës kosovare. Një punë me përgjegjësi në vendosjen e standardeve duhet të ofrojë edhe Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës.

Debati u shoqërua edhe nga synimet për thellimin e bashkëpunimit të institucioneve arsimore të Kosovës me fondacionin “Konrad Adenauer- Stiftung “ dhe institucionet tjera gjermane e evropiane arsimore, duke kërkuar edhe mundësi partneriteti me shkollat gjermane në të ardhmen.

Komisioni Parlamentar për arsim takohet me  fondacionin “Konrad Adenauer- Stiftung”