Lajmet e fundit

Sejdiu e Buja u takuan me komisionerin e lartë të OSBE-së për minoritete, Rolf Ekeus

, 04.05.2005




Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Fatmir Sejdiu e Ramë Buja, patën sot një takim me komisionerin e lartë të OSBE-së , z. Rolf Ekeus me bashkëpunëtorë. Me këtë rast komisoneri i lartë u njoftua nga anëtarët e Kryesisë për aktivitetin e institucionit më të lartë ligjvënës, posaçërisht të strukturës së Kuvendit, si dhe të pjesëmarrjes së deputetëve edhe nga radhët e komuniteteve në këtë organ.
Proceset t'i çojmë përpara së bashku

Duke folur për këto çështje, Fatmir Sejdiu theksoi se jemi të interesuar që proceset, sidomos në fushën e legjislacionit, t’ i çojmë përpara së bashku, në pajtueshmëri me legjislacionin e Unionit Evropian, atje ku aspirojmë gjithnjë se e kemi vendin. Ne e kemi dhembjen tonë, por duhet të ecim përpara. Në të gjitha këto procese që kane prirje integruese e kemi më vështirë me serbët, sepse ata akordohen me Beogradin, i cili përpiqet të mbajë peng çështjet, megjithese edhe brenda komunitetit serb, kohëve të fundit, kemi ndryshime pozitive.

Sa i përket të drejtave të minoriteteve , ato janë të garantuara, me përpjekje gjithnjë në rritje që qasja integruese të jetë gjithnjë në ngritje. Shkollimi për serbët është i siguruar që nga fillorja e deri në universitet, ndërsa në gjuhën amtare shkollohen edhe pjesëtarët turq e boshnjakë.

Për një identitet evropian të Kosovës

Ramë Buja tha se në Parlament kemi disa dallime në relacionin pozitë- opozitë, që është gjë e rëndomtë edhe për parlamente të tjera, por kur është fjala për çështjen e minoriteteve kemi pikëpamje krejtësisht identike. Mungesa e serbëve në Parlamentin e Kosovës po iu bën dëm vetë serbëve, por edhe mbarë Kosovës. Të dy anëtarët e Kryesisë ishin të një mendimi për pavarësinë e Kosovës, për ndërtimin e një shteti që do të jetë i të gjithë qytetarëve të saj. Në të gjitha proceset integruese Kosova po ecën shumë shpejt, të bindur se rruge tjetër nuk ka. Kësaj udhe Kosova ballafaqohet me vështirësi, por rezultatet janë evidente.

Komisioneri i lartë i OSBE-së , z. Rolf Ekeus duke i bërë një vështrim të gjerë rrugës që bënë disa shtete të Evropës Lindore dhe të rajonit në procesin e marrëdhënieve me minoritetet, tha se kam ardhur me kënaqësi këtu, në vazhdën e sukseseve të arritura edhe në kontekstin e ndryshimeve sa i përket statusit të Kosovës. Në këtë frymë ai vijoi angazhimin për krijimin e një identiteti evropian të Kosovës. Jemi këtu, tha ai , për të ndihmuar në qasjen integruese, me respekt ndaj identiteteve të ndryshme, kulturat dhe traditat e tyre, mirëpo jemi kundër segregacionit dhe ndarjes. Perspektiva e re na obligon të merremi me sfidat që shtrohen në marrëdhëniet ndëretnike, e jo të ikim nga ato. Të nisemi gjithnjë nga gjërat që na bashkojnë e jo nga ato që na ndajnë. Në këtë frymë, theksoi ai, gjuha dhe arsimimi në gjuhën amtare, krahas të drejtave të tjera, kanë një rëndësi të veçantë .
Sejdiu e Buja u takuan me komisionerin e lartë të OSBE-së për minoritete, Rolf Ekeus