Lajmet e fundit
Daci priti koordinatorin e Paktit të Stabilitetit,Busek
, 04.05.2005
Perspektivat zhvillimore të Kosovës dhe çështja e punësimit të qytetarëve, si parakusht për stabilitetin e vendit dhe forcimin e demokracisë, kanë qenë çështjet që janë debatuar në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovsë, Nexhat Daci, me koordinatorin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek.
Pa zhvillim ekonomik dhe punësim, nuk mund të ketë as stabilitet politik
Kryeparlamentari Daci ka theksuar ngecjen ekonomike të Kosovës, për shkak të statusit të papërcaktuar të vendit dhe ka përmendur faktin se gjeneratat e reja të arsimuara nuk arrijnë të punësohen, pikërisht për shkak të zhvillimit të mangët ekonomik. Në këto rrethana, kur nuk ka investim ekonomike dhe punësim, nuk mund të pretendohet as stabilitet i dëshiruar politik për vendin, ka thënë Daci.
Ai pastaj ka folur edhe për çështjen e sigurisë, duke theksuar faktin që Kosova ende vazhdon të mos ketë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.
Procese pozitive në Kosovë
Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, është shprehur i kënaqur për lëvizjen e proceseve në Kosovë. Ai është pajtuar se Kosova meriton një perspektivë më të mirë ekonomike dhe në këtë vështrim ka theksuar rëndësinë e lidhjes së Kosovës me korridore të reja, sidomos të atyre në drejtim të Greqisë, të cilat do të mundësojnë zhvillim dhe punësim për kosovarët.
Për bashkëpunim ndërparlamentar me vende të rajonit
Busek ka lavdëruar zgjedhjet shumë të mira parlamentare që ka mbajtur Kosova dhe ka inkurajuar kryeparlamentarin Daci për bashkëpunim ndërparlamentar me vende të tjera, sidomos me vendet e rajonit.
Nuk u frikësohemi bisedimeve
Nuk u frikësohemi bisedimeve, ka thënë kreu i legjislativit të vendit, në takim me zotin Busek, duke theksuar se duhet të bisedohet për çështjet energjetike, për kthimin e kufomave të njerëzve tanë të vrarë nga forcat serbe dhe për kthimin e të zhvendosurve.
Lidhur me bashkëpunimin ndërparlamentar Daci ka thënë se në vizita parlamenteve të vendeve të tjera marrin pjesë edhe deputetë nga radhët e opozitës dhe përfaqësues të të gjitha komuniteteve.
Kosova po i kalon me sukses sëmundjet foshnjore të demokracisë, është shprehur kryeparlamentari Daci.