Lajmet e fundit

Flora Brovina priti një delegacion nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar

, 05.05.2005




Deputetja e Kuvendit të Kosovës Flora Brovina, pati sot një takim përshëndetës me një delegacion nga Kryqi Kuq Ndërkombëtar, përkatësisht me ndihmës koordinatorin e deritashëm, të këtij institucioni me seli në Budapest, Udo Wagner- Meige dhe ndihmës koordinatorin e ri, Elizabele Rinolet. Me këtë rast u fol për procesin e bisedimeve me Serbinë për personat e zhdukur, që e udhëheq Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, për angazhimin e Kosovës në mbrojtje të personave të zhdukur, si dhe për nivelin institucional të ballafaqimit me këtë problem sa të dhembshëm, po aq edhe humanitar, të institucioneve të vendit .

Udo Wagner falënderoi deputeten dhe humanisten Flora Brovina si kryetare e deri paradokohshme e Komisionit Parlamentar për personat e zhdukur, duke shprehur dëshirën që edhe në të ardhmen të kenë bashkëpunim, të pranojnë sugjerimet, vërejtjet dhe të këmbejnë ide në të mirë të procesit të bisedimeve me Serbinë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga Kosova.

Deputetja Flora Brovina foli për rolin e rëndësishëm humanitar të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në një detyrë shumë delikate të ndërmjetësimit në këto bisedime, me peshë humanitare e politike. Në vijim Brovina theksoi se vetë institucionet tona duhet t’ i qasen këtij problemi në mënyrë shumë më serioze , e më të përgatitura, të jenë më kompetentë, duke u nisur nga fakti se kjo është plaga më e rëndë që nga lufta. Ato duhet të jenë më këmbëngulëse në kërkesat rreth kësaj çështjeje, në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të luajë një rol kyç dhe të bëjë trysni më të madhe për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.