Lajmet e fundit

Daci priti një delegacion nga Lugina e Preshevës

, 06.05.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një delegacion nga Lugina e Preshevës, në përbërje: Riza Halimi, prefekt i Preshevës, Nagip Arifi, prefekt i Bujanocit dhe Xhemë Osmani, nënprefekt i Medvegjës.

Për kuota të caktuara në arsimin e lartë

Në takim është biseduar për zhvillimet në Kosovës dhe në Luginë të Preshevës, me theks të veçantë për gjendjen e të drejtave të banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe arsimin e të rinjve. Udhëheqësit e komunave të Luginës së Preshevës kanë kërkuar kuota të garantuara për arsimin e lartë të të rinjve të asaj ane, si parakusht për përgatitjen e kuadrit të nevojshëm profesional.

Ata kanë kërkuar gjithashtu mbështetje edhe me tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm.

Për bashkpunim ekonomik dhe pika të reja kufitare

Në takim është prekur edhe çështja e bashkëpunimit ekonomik të komunave të Luginës së Preshevës dhe nevoja e komunikimit më të mirë të banorëve të atjeshëm me Kosovën. Në këtë pikë është parë shumë e nevojshme ngritja e pikave kufitare, të cilat do ta lehtësonin qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave.

Kryeparlamentari Daci ka vlerësuar angazhimin e udhëheqësve komunal të Luginës së Preshevës për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të qytetarëve, si dhe interesimin për raporte të përhershme me Kosovën. Ai ka premtuar se do të angazhohet që të lehtësohet komunikimi dhe të ndihmohet arsimimi i të rinjve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Daci priti një delegacion nga Lugina e Preshevës