Lajmet e fundit

Seanca Plenare mbahet më 19 maj

, 09.05.2005




Seanca Plenare Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 19 maj dhe në ditën e parë të saj do të debatohet për programin e Qeverisë për reformimin e pushtetit lokal, ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar, i cili i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë se sot ka marrë një letër nga kryeministri Kosumi, me kërkesën që në këtë seancë të debatohet edhe për pilot-komunat.

Kryesia ka vendosur që në vazhdim të seancës të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve, kurse për herë të parë të shqyrtohen Projektligji për procedurat kontestimore, ai për Mbeturinat, Projektligji për lirinë fetare dhe pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë, si dhe ai për Borxhet.

Do të shqyrtohet gjithashtu edhe raporti i Komisionit për Ttregti dhe Industri lidhur me vërejtjet e UNMIK-ut në Ligjin për Odën Ekomomike.

Po sot Kryesia ka miratuar kërkesat e këtij komisioni për hartimin e Projektligjit për ngrohje qendrore dhe atë për Koncesionet. Ligji për koncesionet është miratuar nga legjislatura e kaluar, por nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut kanë ardhur aq shumë vërejtje, sa që më lehtë është të hartohet projektligj i ri se sa të amendamentohet ligji i kontestuar.

Është miratuar, ndërkaq edhe kërkesa e Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese për hartimin e Projektligjit për hetim parlamentar.

Kryesia e Kuvendit ka shqyrtuar edhe kërkesa të tjera të komisioneve, të grupeve parlamentare dhe të deputetëve.

Seanca Plenare mbahet më 19 maj