Lajmet e fundit

Takohet Komisioni Parlamentar për gatishmëri emergjente me një delegacion amerikan nga lëmi i mbrojtjes

, 09.05.2005




Komisioni për gatishmëri dhe emergjencë i Kuvendit të Kosovës dhe Drejtorati për gatishmëri emergjente pranë Ministrisë së Shërbimeve Publike, patën sot një takim me një delegacion nga Universiteti Luftarak i Uashingtonit dhe institucionet e mbrojtjes të SHBA-ve .

Në qendër të vëmendjes së këtij takimi , të cilin e udhëhoqi, Ylber Hysa, nënkryetar i parë i komisionit, ishin aktivitetet në lëmin e emergjencës, struktura dhe përgatitjet e institucioneve të këtij lëmi në Kosovë për t’u ballafaquar me sfidat aktuale, si dhe organizimi i Departamentit. U tha se në fushën e gatishmërisë emergjente janë arritur rezultate të rëndësishme, por mungesa e Ligjit për emergjencë paraqitet si pengesë e madhe për mbarëvajtje të punëve dhe realizimin e obligimeve . Shih për këtë u shtrua kërkesa që sa më parë një projektligj i këtillë të procedohet për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë debatit mjaft të frytshëm u tha se çështja e sigurisë dhe e drejtësisë aktualisht janë në kompetencë tepër të rezervuar të UNMIK-ut. Në këtë vështrim u kërkua bartja më e shpejtë e kompetencave nga UNMIK-u, përkatësisht formimi i Ministrisë së Rendit, Ministrisë së Drejtësisë,si dhe i Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Pa përfshirjen e faktorit vendës nuk mund të kemi siguri të mirëfilltë në Kosovë. Këto prioritete i nënkupton edhe angazhimi për realizimin e standardeve, sidomos kur është fjala për qarkullim të lirë, mbrojtje të pronës etj. Në këtë takim u fol edhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit të TMK-së me NATO-n,duke ditur aftësitë e pjesëtarëve të saj, sidomos në lëmin e deminimit, por edhe potencialet për angazhime paqeruajtëse në kuadër të forcave ndërkombëtare.

Takohet Komisioni Parlamentar për gatishmëri emergjente me një delegacion amerikan nga lëmi i mbrojtjes