Lajmet e fundit

Një delegacion i ILDKP-së nga Shqipëria është pritur nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion

, 10.05.2005




Një delegacion nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë nga Shqipëria, i kryesuar nga Fatmira Laska, inspektore e përgjithshme, është pritur sot nga kryetari i Komisionit për çështje gjyqësore, legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, Hydajet Hyesi dhe anëtaret e komisionit, Lumnie Hyseni dhe Gjylnaze Syla.

Në takim është biseduar për rëndësinë e deklarimit dhe të kontrollimit të pasurisë së pushtetarëve, si një ndër mekanizmat e mbrojtjes së institucioneve të shtetit nga korruptimi i pushtetarëve.

Kontrolli i pasurisë - preventivë e mirë kundër korrupsionit

Zonja Laska i ka njoftuar anëtarët e Komisionit legjislativ me kompetencat e inspektoratit që e udhëheq dhe me sukseset e arritura në punën e inspektoratit. Ajo ka thënë se për fshehjen e pasurisë janë hedhur në gjyq funksionarë të lartë të shtetit dhe se kontrolli i pasurisë është preventivë e mirë kundër korrupsionit.

Në Kosovë mungon rregullativa për antikorrupsion

Kryetari i Komisionit legjislativ, Hydajet Hyseni, duke e çmuar rëndësinë e punës së një inspektorati të tillë, është shprehur se në Kosovë ende mungon rregullativa për antikorrupsion dhe ka shtuar se është kërkuar nga kandidatët për deputetë deklarimi i pasurisë, por nuk është ecur pastaj edhe me kontrollin e vërtetësisë së atij deklarimi.

Anëtaret e komisionit Lumnie Hyseni dhe Gjylnaze Syla janë interesuar për mënyrën e inicimit dhe të funksionimit të Inspektoratit për deklarimin e pasurisë dhe e kanë vlerësuar të nevojshme aplikimin e një kontrolli të ngjashëm në Kosovë.

Nismë për hartimin e ligjit

Zoti Hyseni ka deklaruar se Komisioni Legjislativ do të ndërmarrë një nismë për hartimin e një ligji për kontrollin e pasurisë së pushtetarëve në Kosovë.

Një delegacion i ILDKP-së nga Shqipëria është pritur nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion